BE: Kosova përparoi në fushën e migracionit, azilit dhe luftës kundër terrorizmit

Prishtinë | 14 Qer 2019 | 11:31 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët nga Kosova dhe Bashkimi Evropian u takuan në Prishtinë për të diskutuar zhvillimet gjatë vitit të kaluar në fushat e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë. Diskutimi u mbajt në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila hyri në fuqi në prill 2016. Gjatë takimit dyditor zyrtarët shkëmbyen pikëpamje për fusha të ndryshme që lidhen me sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe çështjet e brendshme. Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord mbi rëndësinë e zbatimit të prioriteteve në të gjitha fushat e përfshira në Agjendën Evropiane të Reformave dhe rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2019.

Sa i përket të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, Avokati i Popullit e paraqiti situatën e përgjithshme në Kosovë dhe përfaqësuesit diskutuan koordinimin e mekanizmave ekzistues të të drejtave të njeriut, mbrojtjen e të dhënave dhe qasjen në dokumente publike, lirinë e shprehjes, dhunën në familje dhe të drejtat pronësore. 

Po ashtu u diskutua edhe për gjendjen e komuniteteve pakicë, përfshi zbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, funksionimin e Zyrës për Çështje të Komuniteteve dhe Këshillit Konsultativ për Komunitetedhe integrimin e komunitetit rom dhe ashkali.

Të dy palët gjithashtu diskutuan nevojën për drejtësi tranzicionale, marrjen me të kaluarën dhe sqarimin e vendndodhjes së personave të zhdukur nga konflikti.

Autoritetet e Kosovës njoftuan BE-në për përpjekjet e tyre në reforma, përfshi iniciativën “Drejtësia 2020” dhe “Rishikimin funksional të sektorit të sundimit të ligjit”. Të dy palët gjithashtu diskutuan për shtrirjen e mëtejshme të sistemit elektronik të menaxhimit të rasteve dhe regjistrin e centralizuar të evidencës penale.

Sa i përket anti-korrupsionit, u diskutuan disa zhvillimeve ligjvënëse. BE përshëndeti miratimin e Kodit të ri Penal. Të dy palët u pajtuan që zbatimi i plotë i të gjithë legjislacionit të ri në fushën e sundimit të ligjit do të jetë vendimtar. BE-ja u bëri thirrje autoriteteve të Kosovës që të vazhdojnë punën dhe të miratojnë Kodin e rishikuar të Procedurës Penale si dhe ligjet tjera që lidhen me luftën kundër korrupsionit. BE theksoi se projektligji për financimin e partive politike duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venedikut.

Në fushën e Punëve të Brendshme dhe në luftën kundër krimit të organizuar, u shkëmbyen pikëpamje për migracionin, azilin dhe riatdhesimit, reformën e policisë, luftën kundër narkotikëve dhe terrorizmit dhe parandalimin e radikalizimit. Të dy palët u pajtuan që zbatimi i plotë i të gjitha strategjive në këto fusha është qenësor. BE-ja përshëndeti përparimin në fushat e migracionit, azilit dhe luftës kundër terrorizmit. Palët diskutuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar policor. Autoritetet e Kosovës theksuan rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve të punës me Europolin. Palët diskutuan më tej nevojën për të forcuar përpjekjet dhe kapacitetet për të luftuar krimin, veçanërisht krimin kibernetik, drogën dhe krimin e organizuar, duke përfshirë edhe rritjen e numrit të konfiskimeve përfundimtare.

Gjithashtu u diskutuan edhe aspektet lidhur me liberalizimin e vizave.Komisioni konfirmoi vlerësimin nga korriku 2018, duke deklaruar se Kosova ka përmbushur të gjitha standardet për liberalizimin e vizave. Në mars të vitit 2019, Parlamenti Evropian mbështeti propozimin e Komisionit për liberalizimin e vizave në leximin e parë. Propozimi është në pritje në Këshill.

Historiku

  • Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është korniza për BE-në dhe administratën e Kosovës për diskutime të rregullta mbi çështjet teknike dhe të politikave në lidhje me reformat që lidhen me BE-në. Trupat e MSA-së përfshijnë Këshillin e Stabilizim Asociimit, të mbështetur nga Komiteti i Stabilizim Asociimit, si dhe nën-komitetet e MSA-së, të cilët mbulojnë një gamë të gjerë të Acquis të BE-së. Takimet e trupave të MSA-së japin një kontribut të drejtpërdrejtë në raportet vjetore të Komisionit Evropian.
  • Çdo takim i nën-komisionit mbikëqyr dhe përcjell zbatimin e reformave nga ana e Kosovës dhe identifikon se si BE-ja mund të ndihmojë në këtë proces.
  • Shtatë fusha mbulohen përmes mbledhjeve sektoriale të nën-komisioneve, për drejtësinë, lirinë dhe sigurinë; inovacionin, shoqërinë e informacionit, politikat sociale, arsimin dhe kulturën; tregtinë, industrinë, doganat dhe tatimet; tregun e brendshëm, konkurrencën, mbrojtjen e konsumatorëve dhe shëndetit, bujqësinë, peshkatarinë, pylltarinë, sigurinë e ushqimit; transportin, mjedisin, energjinë, ndryshimet klimatike dhe zhvillimin rajonal; çështjet ekonomike dhe financiare, statistikat.
  • Dy fusha të tjera të mbuluara përmes takimeve të grupeve të veçanta janë reforma e administratës publike dhe normalizimi.
  • Takimet e Komitetit të SA dhe nën-komiteteve bashkë-kryesohen nga Komisioni Evropian dhe Kosova. Çdo takim rezulton në veprime përcjellëse të përcaktuara bashkërisht e të cilat duhet të ndërmerren nga autoritetet e Kosovës.

Të ngjashme