BE nuk mund t’i detyrojë Kosovën e Serbinë të ulen në tavolinën e dialogut

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 11:36 | Nga Ekonomia Online

Nga Bashkimi Evropian thonë se takimi dhe bisedimet që mund t’i kenë pasur presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, në Washington nuk janë pjesë e dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Kështu ka thënë për EuObserver një zëdhënës i Bashkimit Evropian.

“Diskutimet që mund t’i kenë pasur në SHBA, liderët e Serbisë dhe Kosovës, nuk janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, ka thënë ky zëdhënës i BE’së.

Ai tutje ka thënë se Bashkimi Evropian është i vetmi ndërmjetësues ndërkombëtar për dialogun Prishtinë-Beograd duke përmendur mandatin nga Kombet e Bashkuara.

“BE-ja është i vetmi lehtësues i ngarkuar ndëkromëbtarisht në dialogun Beograd-Prishtinë. Askush tjetër nuk është duke e organizuar atë”, ka thënë zëdhënësi i BE’së.

Ndërkohë siç shkruan EuObserver, Bashkimi Evropian ka një qasje pak më të butë karshi Kosovës dhe Serbisë sa i përket dialogut, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëdhënësi i BE’së ka thënë se s’mund t’i detyrojnë Thaçin e Vuçiqin të dialogojnë bashkë nëse ata nuk dëshirojnë.

“Ne nuk mund t’i detyrojmë ata (Thaçin dhe Vuçiqin) të ulen në tryezë nëse nuk dëshirojnë”, ka thënë ky zëdhënës i BE’së, raporton Express.

Të pyetur nëse do ta marrin parasysh idenë e korrigjimit të kufijve dhe nëse do të jetë një opsion në tryezën e diskutimeve Kosovë-Serbi, zëdhënësi i BE’së ka thënë se objektivi i Brukselit është normalizimi i plotë i raporteve.

“Objektivi këtu është që të normalizohen plotësisht marrëdhëniet përmes një marrëveshjeje ligjërisht obligative” ka shtuar tutje ky zëdhënës i BE’së.

Përveç tjerash ai ka thënë se “përmbajtja, natyra dhe qëllimi i një marrëveshje të tillë do të përcaktohet nga dy akterët kryesorë (Beogradi dhe Prishtina).

Të ngjashme