BE nuk tregon se kur do të mbahet takimi i ardhshëm Kurti-Vuçiq në Bruksel

Prishtinë | 14 Sht 2021 | 19:03 | Nga Ekonomia Online

Kanë kaluar më shumë se tre javë nga takimi i fundit ndërmjet Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por, ende nuk dihet se kur do të rishihen liderët e dy vendeve në Bruksel.

Për datën e takimit të tretë Kurti-Vuçiq nuk kanë folur as nga BE.

Në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”, Brukseli nuk ka dhënë informacione për datën e takimit të ardhshëm ndërmjet Kurtit e Vuçiq.

“Shumë faleminderit për mesazhin dhe pyetjet tuaja. Ne do të njoftojmë datën e takimeve të ardhshme – qoftë në nivelin e negociatorëve kryesorë apo në nivel të lartë – kur është e përshtatshme”, thuhet në përgjigjen e BE-së për Reporteri.net.

Se nuk do të ketë takim edhe për një kohë e ka thënë edhe zëvendësi i Kurtit, Besnik Bislimi.

Zëvendës kryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, tha se nuk do të ketë takim në muajin shtator ndërmjet Kurtit e Vuçiqit.

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi pas përfundimit të takimit me delegacionin serb, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Në takimin e fundit të 19 gushtit, u raportua për atmosferë jo fortë të mirë në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Ty liderët ballkanas nuk ranë dakord për asgjë, përveç që dialogu duhet të vazhdojë, por pa caktuar ndonjë afat kohor të saktë për takimin e radhës.

Përplasja e madhe e takimit të dytë erdhi si pasojë e së kaluarës së viteve 90-ta.

E pas takimit, që ishte më i shkurtër se që planifikohej, Kurti e Vuçiq dërguan fjalë të rënda në drejtim të njëri-tjetrit.

Kurti iu referua si ‘gënjeshtar’ Vuçiqit pasi ky i fundit deklaroi se kryeministri i Kosovës po refuzon të nënshkruajë dokumentin për stabilitet dhe siguri. Tutje Kurti e fajësoi Serbinë për gjenocid duke theksuar se Vuçiq, që tash udhëheq me Serbinë, atëbotë ishte në pushtet me Millosheviqin.

Ndërsa Vuçiq e quajti palën e Prishtinës si ‘jo serioze’ e negociatat me Kurtin si ‘të tmerrshme’.

Në anën tjetër, Bislimi në takimin e fundit me Petar Petkoviqin, shef i delegacionit të Serbisë në dialogun me Kosovën, të mbajtur më 7 shtator, ka diskutuar për temën e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare.

Por, dakordësia ndërmjet Bislimit e Petkoviçit për hapjen e arkivit të Serbisë dhe të UÇK-së, ngjalli reagime të shumta në Kosovë e Serbi.

Opozita në Kosovë e kritikoi këtë hap të Qeverisë, që u përkrah edhe nga Kurti, i cili tha se Kosova nuk ka çfarë të fsheh dhe se Serbia është ajo që duhet të hapë arkivin.

Ndërsa në Serbi, pajtimi për hapjen e arkivave u komentua si pranim se ekzistojnë arkivat e UÇK-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme