Begaj: Mbështesim anëtarësimin e Kosovës në NATO, liberalizimi i vizave premtim i vonuar

Prishtinë | 15 Gus 2022 | 12:27 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidenti shqiptar Bajram Begaj, tha se Shqipëria do ta mbështes Kosovën për anëtarësimin në NATO dhe të gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Sipas tij, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar.

Begaj, ka thënë gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani se “Shqipëria do të jetë zëdhënëse e interesave të Kosovës në OKB”.

Begaj po ashtu ka thënë se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë do të thellohet edhe më tutje.

Po ashtu tha se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

“Jam shumë i lumtur për ftesën tuaj. Vij në shtëpi. Në shtëpinë e shqiptarisë. Aty ku shtëpia është e zotit dhe e mikut. Dy dialekte dhe një gjuhë. Dy republika dhe një komb. Kjo është harta jonë patriotike për rrugën drejt Brukselit. Së bashku fituam luftën dhe bashkë do të luftojmë për të ruajtur paqen”.

“Kjo është motoja në çdo kulm kulle dhe çdo pëllëmbë të kësaj toke që quhet Dardani. Asnjë raport i trilluar që tenton të njollosë gjakun dhe vetëflijim e shqiptarëve në mbrojtje të lirisë dhe identitet kombëtar nuk do arrijë të zbehë përpjekjen. Shqipëria mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Begaj.

“UÇK faqe e ndritur që bën krenar çdo shqiptar. Hapja e negociatave me BE për Shqipërinë një hap shumë i mirë për të gjithë shqiptarët. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është një premtim i vonuar. Unë sigurova presidenten Osmani për mbështetjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

Begaj do të qëndrojë më 15-16 gusht një vizitë zyrtare në vendin tonë.

Vizita e parë e presidentit Begaj pas marrjes së detyrës, bëhet me ftesë të homologes së tij, Vjosa Osmani.

Gjatë kësaj vizite, kreu i shtetit shqiptar do të takohet me krerët e institucioneve shtetërore të Kosovës, krerët e partive opozitare, si dhe do të bëjë homazhe te varrezat e familjes Jashari, varri i ish-presidentit Ibrahim Rugovës, si dhe do të bëjë nderime para Memorialit për Personat e Zhdukur.

Begaj do të ketë takim edhe me komandantin e KFOR-it, trupat e Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të KFOR-it në Pejë, takim me kryetarin e Prizrenit Shaqir Totaj, si dhe do të vizitojë Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit.

Të ngjashme