Behramaj: Këshilltarja e Bislimit e rriti numrin e të punësuarve për 800 %

Prishtinë | 15 Maj 2020 | 12:27 | Nga Ekonomia Online

Këshilltari politik i presidentit Thaçi, Adil Behramaj, e ka goditur ashpër Ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimin, i cili kishte deklaruar se e ka ulur nivelin e papunësisë për 6.6 për qind.

Behramaj ka thënë se këshilltarja e ministrit Bislimi, që njëherësh është drejtoreshë e hotelit “Best Western Hotel Galla”, me vetëm 1 punëtor zyrtarisht të regjistruar, pas ardhjes në pushtet e ka rritur numrin e të punësuarve për 800 për qind.

Ai ka thënë se është shumë mirë që njerëzit e Vetëvendosjes po i formalizojnë bizneset dhe po i deklarojnë punëtorët e tyre. Por, sipas tij, është shumë keq nëse këtë rritje të numrit të të punësuarve po e bëjnë për të përfituar vetë nga Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike.

“Me Besnik Bislimin u tallëm shumë kur deklaroi se e ka ulur nivelin e papunësisë për 6.6 për qind. Por, veçanërisht për stafin e tij, kjo po rezulton shumë e vërtetë!
Ajo këshilltarja e ministrit Bislimi, që njëherësh ishte drejtoreshë e hotelit “Best Western Hotel Galla”, me vetëm 1 punëtor zyrtarisht të regjistruar, pas ardhjes në pushtet e kishte rritur numrin e të punësuarve për 800 për qind.
Është shumë mirë që njerëzit e tyre po i formalizojnë bizneset dhe po i deklarojnë punëtorët e tyre. Por, është shumë keq nëse këtë rritje të numrit të të punësuarve po e bëjnë për të përfituar vetë nga Pakoja e Rimëkëmbjes Ekonomike.
Ato pak mjete që i dedikohen rasteve sociale dhe njerëzve në nevojë si mbështetje në këtë kohë pandemie, nuk do të duhej të shkonin në llogaritë e bizneseve të njerëzve të Vetëvendosjes, sepse ky trend i rritjes për të përfituar nga pakoja është te shumica e tyre.
Ministria e Financave dhe Transfereve duhet ta bëjë publike listën e përfituesve dhe të jetë transparente në ndarjen e mjeteve financiare të parapara me Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike.
Ndërsa, ajo këshilltarja e ministrit Bislimi, të paktën ndryshimin do të duhej ta bënte edhe në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, pasi që aty ende 1 punëtor po i figuronte!”, ka shkruar Behramaj.

Duke mos ia përmendur emrin, Behramaj i është referuar këshilltares së ministrit Besnik Bislimi, Kaltrina Zekës, e cila zyrtarisht është drejtoreshë e Hotel Galla SH.P.K., ku ende i figuron që tërë hotelin e mban me vetëm 1 punëtor të deklaruar.

Të ngjashme