Behrami fajëson Qeverinë Kurti për tërheqjen e “Contour Global”

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 13:00 | Nga Ekonomia Online

Artan Behrami, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi ka fajsuar Qeverinë Kurti për tërheqjen e investitorëve për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, duke thënë se “Contour Global” u tërhoq për shkak të kundërshtimit të kësaj qeverie për ndërtimin e “Kosovës së Re”

“Kërcënimet e Qeverisë së Kosovës kundër investimeve amerikane sot morën formë. Kompania amerikane që planifikojë t’i investojë mbi 1.5 miliardë euro në ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, sot u tërhoq nga ky investim, për shkak të kundërshtimit të Qeverisë Kurti.

“Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i Qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në deklaratën e amerikanëve.

Me këtë projekt, Amerika synonte ta pavarësonte Kosovën nga varësia e Serbisë dhe Rusisë në sektorin energjetik.

Retorika e filozofëve, myhibëve dhe cyberxhematit të Vetëvendosjes kundër Amerikës ia humbi Kosovës një prej investimeve më të mëdha amerikane, që do të transformonte vendin tonë.

Por, si duket se kjo nuk është duke iu mjaftuar.

Ata vazhdojnë të tallen me bllokimin e 200 milionë dollarëve të investimeve të tjera amerikane, 50 milionë eurove të MCC-së, si dhe 150 milionë eurove të tjera për gazin, që planifikoheshin të investoheshin në Kosovë.

Me këto veprime, Kurti është duke e rrezikuar ekzistencën e shtetit të Kosovës, që është një kombinim i vullnetit qytetar përbrenda dhe i investimit amerikan nga jashtë.

Krahas koronavirusit, veprimet konfrontuese të Qeverisë me Amerikën janë sfidë me pasoja tepër të mëdha për popullin tone”!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme