Behrami: Qëllimi për të cilin ishte formuar Gjykata Speciale tashmë ka rënë, nesër pritet përballje e ashpër

Prishtinë | 23 Mar 2022 | 14:51 | Nga Ekonomia Online

Seanca e radhës statusore për krerët e UÇK-së, do të mbahet nesër në Hagë.

Në këtë seancë pritet që ketë një ballafaqim të ashpër ndërmjet Prokurorisë së Gjykatës dhe mbrojtjes së krerëve të UÇK-së.

Artan Behrami, analist politik që po e përcjell nga afër zhvillimet në Hagë, ka thënë për “Ekonomia Online”, se nesër pritet që mbrojtja e krerëve të UÇK-së të vazhdojë të shpërfaqë tendencës e prokurorisë për të mos krijuar një proces fer dhe të drejtë, ashtu siç parashihet me konventa ndërkombëtare.

Ai madje thekson se qëllimi për të cilin kjo gjykatë është krijuar tashmë ka rënë.

“Përmes një procesi gjyqësor kundër UÇK-së, shtetet perëndimore janë mundur që të qetësojnë Rusinë dhe në anën duke u munduar që të balancojnë krimet në luftërat e viteve 1990-ta”, ka shtuar ai.

Sipas Behramit, tani që Rusia po bën krime në Ukrainë, dhe Serbia është i vetmi shtet në kontinentin evropian që nuk është distancuar, kësaj gjykate i ka humbur kuptimi.

“Shtetet perëndimore janë në luftë indirekte me Rusinë. Tani ato nuk kanë asnjë arsye që t’i hyjnë në hatër Putinit, që është duke bërë krime në Ukrainë, e as Vuçiqit që kishte bërë krime në Kosovë”, ka theksuar ai.

Megjithatë, Behrami shpreson që tani kjo gjykatë politike të krijojë parakushte për një proces fer, pa vonesa artificiale.

Dje në një intervistë për Televizionin Publik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se nuk beson në “formulimin ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

“Së pari nuk besoj në formulimin ndërmarrje e përbashkët kriminale, ky është pretendim i prokurorisë, të cilin unë nuk e besoj, së dyti kur thuhet ndërmarrje e përbashkët kriminale, nga marsi i viti 1998, kur ne e kemi epopenë e UÇK-së, kjo e bën edhe më të pabesueshëm këtë etiketë dhe së treti u zgjat paraburgimi shumë. Së shpejti bëhet një vit e gjysmë në paraburgim, edhe unë kam qëndruar shumë, edhe në kohën e okupimit të Serbisë dhe pasluftës, kur ishim si robër lufte”, është shprehur Kurti në RTK.

“Tash situata është bërë edhe më e rëndë për shkak se Evropa është në rrezik, kemi kryetarin e kuvendit të Serbisë prorus, i cili përditë flet kundër Kosovës, mohon gjenocidin serb dhe kemi ish-kryetarin e Kosovës, që është në burg, si pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar ai.

Të ngjashme