Bekë Berisha: Nuk i kam ndryshuar mendimet për LDK-në, VV-ja e teproi dje në Kuvend

Prishtinë | 19 Dhj 2020 | 17:10 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha ka komentuar veprimin e djeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Driton Selmanaj.

Berisha në një prononcim për Gazetën Express, e ka cilësuar si të tepruar kundërshtimin e deputetëve të VV-së për pjesëmarrjen e Driton Selmanajt në seancën e Kuvendit të Kosovës. Ai thotë se Selmanaj nuk kishte për qëllim ofendimin e Saranda Bogujevcit.

“Mendoj që ka qenë e tepruar, e kemi trajtuar atë temë dhe nuk ka pas për qëllim Driton Selmanaj me ofendu atë vajzën (Saranda Bogujevcin), mirëpo kjo u bë pastaj prej mediave shkoj në drejtim, e këta nuk po dinë me u nal tash. Po m’duket që është e tepërt”, tha Berisha.

Dy ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar lirimin nga detyra të shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), Kreshnik Gashi. E për këtë Berisha thotë se ende nuk e kanë parë raportin se pse atij iu kërkua lirimi i detyrës. Ndërsa thotë se nuk mund të vlerësojë nëse është i drejtë apo jo.

Berisha rreth dy vite më parë, deputetët e partnerit të koalicionit, LDK-së, i pati përshkruar si të çrregullt dhe se i mbushin xhepat me para.

“Këta rrinë si të çrregullut, flokët diqysh s’i prejnë, rrinë me mjekërr me syza, doken që janë t’meçëm po s’janë të meçëm hiç.  A aty rrinë edhe paret i shtinë në xhep. Pshtjellen me flamur dardan, mërziten për Presidentin, vec si xhepat i mushin paret plot, po krejt kohën janë të përmallushëm për presidentin”, pati thënë Berisha.

I pyetur nëse e ka ende mendimin e njëjtë për partnerët e koalicionit, ai thotë se mendimet nuk i ka ndryshuar, por nuk dëshiron që në këtë kohë t’i komentojë deklarata që i ka thënë më parë.

“Unë i kom thon ato në kohën kur i kam thënë. Mendimet nuk i ndryshoj, mirëpo pak po më duket e tepërt me i komentu dmth deklaratat që i kam thënë”, thotë Berisha.

Të ngjashme