Beogradi në frikë: Rusia mund ta njohë Kosovën

Prishtinë | 23 Jan 2017 | 08:18 | Nga

Ekzaltimi fillestar me fitoren e Donald Trumpit në SHBA te një pjesë e publikut serb, ngadalë po kalon në frikë nga paralajmërimet se në vend të kthimit të Kosovës nën Serbi, rezultati i ndryshimeve në Washington mund të shkaktojë njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Rusia.

Disa nga mediat në Beograd që fitoren e Trumpit e kanë festuar si një hap që mund të çojë në drejtim të rimarrjes së Kosovës, duke marrë parasysh qëndrimin më pozitiv të presidentit të ri amerikan ndaj Rusisë, tani kanë nisur të raportojnë për mundësinë që afrimi mes Moskës dhe Washingtonit do të mund të vinte bashkë me një “thikë pas shpine” nga ana e Putinit për Serbinë.

Shumë prej mediave në Beograd e kanë raportuar analizën e britanikes Mary Dejevsky, që njihet si njëra ndër ekspertet më të mira për Rusinë, e cila citohet të ketë thënë se në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë mes Trumpit dhe Putinit, Rusia do të mund ta njihte pavarësinë e Kosovës. Titujt me të cilët u raportua ky lajm në gazetat si “Blic” e “Telegraf”, për shembull, ishin: “Tronditje për Serbinë” dhe “Thikë pas shpine nga Putini”.

Tronditja vjen pas një besimi të shtuar se presidenti i ri amerikan do të ketë qasje më pozitive ndaj Serbisë, në dëm të Kosovës.

Shkurt pas fitores së Trumpit, në Serbi u rrit optimizmi se presidenti i ri amerikan do të ndërtojë raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, dhe se një afrim i tillë Washington – Moskë do të jetë në favor të aspiratave serbe në Kosovë.

Të ngjashme