Beogradi s’e lejon Pacollin të shkojë në Novi Pazar

Prishtinë | 21 Kor 2018 | 11:55 | Nga

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, përmes një komunikate për media, shpreh keqardhje dhe indinjatën e saj për vendimin e autoriteteve të Beogradit për të mos lejuar vizitën e Zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në Novi Pazar.

“Republika e Kosovës ka vepruar gjithmonë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit mbi vizitat e zyrtarëve të lartë dhe ka respektuar procedurat e kërkuara. Ky rast tregon përsëri se Beogradi nuk është i angazhuar të respektojë Marrëveshjet e Brukselit dhe shkakton tensione të panevojshme për të parandaluar vizitat e zyrtarëve të lartë të Kosovës në territorin e Serbisë. Ne, sot jetojmë në shekullin, ku lëvizja e lirë e njerëzve është e drejtë fundamentale e njeriut dhe çdo shtet e Qeveri duhej ta respektoj atë. Kosova ka respektuar këto të drejta me përkushtim të madh dhe do t’i respektoj gjithmonë derisa mos të abuzohet me to, si në shumë raste që ka ndodhur në të kaluarën me mysafirët nga shteti fqinj verior”, thuhet në njoftimin e MPJ-së, transmeton Koha.net.

Tutje, aty thuhet se do të ishte e arsyeshme, që Kosova të mbajë të drejtën për masa reciproke kundrejt autoriteteve të Beogradit sipas Marrëveshjes së Brukselit, por ne i dedikohemi të drejtave fundamentale për lëvizjen e lirë të njerëzve përderisa ato mos të jenë qëllimkeqe.

“Të rikujtojmë faktin se edhe vizitat e kosovarëve tek bashkëkombësit e tyre në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë duhet të vihen në reciprocitet me vizitat e serbëve tek bashkëkombësit e tyre në Kosovë”, përfundon reagimi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme