Beqaj: Me ndarjen e Kosovës, Vuçiqi synon aleancë me shqiptarët në një shtet

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 22:16 | Nga Ekonomia Online

Politologu Belul Beqaj, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se me ndarjen eventuale të Kosovës, Vuçiqi do të krijonte aleancë me shqiptarët dhe kjo do të nënkuptonte zhbërje të shtetit të Kosovës, pasi pjesa e mbetur do të bashkohej me Shqipërinë.

Sipas tij shkëmbimi territorial është precedent i rrezikshëm, derisa ka përmendur një deklaratë të Dodikut, i cili ka thënë se në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të ekzistojë Bosnja dhe Hercegovina.

“Nëse preket çështja e kufirit dhe bëhet precedent, kjo është çështje që prek interesat e regjionit. Dodiku para dy muajve tha, ‘në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të ekzistojë më Bosnja dhe Hercegovina’, është një paralajmërim, unë i ndjek deklaratat që kanë një mesazh të mundësisë së ndërrimeve territoriale që nënkuptojnë edhe mundësinë e bashkimit të Republika Srpskas me Serbinë. Natyrisht Maqedonia dhe shqiptarët atje janë në një pozicion tjetër. Ky është precedent shumë i rrezikshëm që mund të çojë mesazhe përtej”, ka thënë Beqaj.

Sipas tij Vuçiqi nuk do ta njohë kurrë Kosovën, porse me zhbërjen e shtetit të Kosovës hapet mundësia e bashkimit kombëtar me Shqipërinë.

“Ideja ime që e kam dhënë më herët ka të bëjë me faktin se nëse ndahet Kosova dhe Vuçiqi po i sakrifikon 50 mijë serbë në Mitrovicë, por ne duhet të mendojmë se a kemi arsye të ekzistojmë si shtet i pavarur. Vuçiqi ka një konstante që thotë se ‘kurrë, kurrë, kurrë nuk do ta njohë Kosovën’. Me faktin se e ndanë Kosovën ai e bën aleancën me shqiptarët, dhe ai thotë ‘dy popujt kryesorë në Ballkan janë shqiptarët dhe serbët dhe duhet të bëjmë kompromis’. Pra, kjo nënkupton zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe hapjen e mundësisë së bashkimit kombëtar”, ka thënë Beqaj.

Ndërkohë Beqaj tha se nuk mjafton përkrahja e një shteti të fuqishëm si SHBA-ja, që të arrihet një marrëveshje efektive dhe e zbatueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, duhet që të ketë edhe drejtësi brenda saj dhe të binden ata që duhet ta implementojnë.

Ai tha se është një perceptim i gabuar të mendohet për një marrëveshje deri në shtator. E quajti shumë komplekse arritjen e marrëveshjes.

“Mendoj se problemi ka të bëjë me perceptimin ireal që ndërlidhet me qasjen e Grenellit dhe Administratës Trump që po supozon se me faktin se vije një mbështetje nga një shtet i fuqishëm, mjafton që të vije edhe epilogu që kërkon ky shtet. Nuk kontestohet fuqia e një shteti si SHBA-ja, as përkrahja e ndihma që kemi pasur. Problemi është se çështja e fuqisë nuk ka dhënë rezultate në politikën e jashtme deri më tash sa i përket Administratës Trump. Shikojmë situatën në Siri, Irak e Afganistan. Kjo Administratë ka bërë tentime të bëjë marrëveshje të shpejta, por kur nuk ka shikuar se çfarë pasojash po nxjerr. Nëse fuqia nuk transformohet në drejtësi dhe drejtësia nuk bëhet pjesë e bindjeve të atyre që e implementojnë marrëveshjen, asnjëherë nuk mund të realizohet asnjë marrëveshje”, ka thënë Beqaj.

Të ngjashme