Beqaj: Vendimi i Kusari-Lilës, frustrim pas rezultatit të zgjedhjeve

Gjakovë | 14 Qer 2017 | 18:14 | Nga

Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë, Hajdar Beqaj, ka thënë se vendimin e Mimoza Kusari-Lilës për t’a prishur koalicionin me PDK-në në komunën e Gjakovës e shohin si frustrim pas rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Ne realisht pas një informate që morëm nga zonja Kusari-Lila,e kemi mbledhur kryesinë e degës, e kemi shqyrtuar njoftimin, dhe e kemi parë më shumë si frustrim nga rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit”, tha Beqaj për Klan Kosovën.

Atë që e ka bërë Kusari-Lila, ai e konsideron një hap të pamatur dhe të papërgjegjshëm për një personalitet që do të merret me politikë.

Tutje, Beqaj thotë se Kusari-Lila nuk ka deklarata të harmonizuara, nuk ka qëndrueshmëri, dhe këtë, sipas tij, e kanë vlerësuar edhe qytetarët, pasi që ai thotë se partia e saj ka marrë më së paku vota në zgjedhjet e 11 qershorit.

Për drejtorët e PDK-së në komunën e Gjakovës, ai tha se kanë pasur performancë pozitive dhe janë vlerësuar pozitivisht nga qytetarët e Gjakovës, madje beson se kjo parti do të udhëheqë në Gjakovë pas zgjedhjeve komunale.

Ndërkaq, për Kusari-Lilën, ai thotë se në Gjakovë, ajo e ka kryer punën me korrespondencë, dhe se më shumë ka qëndruar në Prishtinë se sa në Gjakovë.

Sipas tij, Kusari-Lila edhe kur doli kandidate për deputete e la komunën, siç tha ai, në vakuum.

Ai tutje e akuzoi Kusari-Lilën se ka ndjekur vetëm interesat personale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme