Beqiri s’e përjashton një koalicion LDK-VV

Prishtinë | 08 Shk 2019 | 18:20 | Nga Ekonomia Online

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, pranojnë se ditëve të fundit kanë përafruar qëndrimet e tyre, në radhë të parë, siç thonë, për ndaljen e keqqeverisjes aktuale.

Deputeti Ismet Beqiri nga Lidhja Demokratike e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se me Vetëvendosjen kanë kontakte më të shpeshta. Këto kontakte, sipas tij, vijnë edhe si rrjedhojë e përafrimit të Partisë Socialdemokrate me partitë në pushtet. Beqiri thekson se qëllimi kryesor është që “të ndalet e qeverisja e keqe” dhe të shkohet sa më shpejt në zgjedhje.

“Kjo është e vërtetë, për këto probleme që i kemi aktualisht rreth qeverisjes aktuale, rreth koalicionit dhe problemet që i kemi në raport me dialogun me Serbinë. Qëndrimi ynë karshi sjelljes së presidentit (Hashim Thaçi), karshi Ekipit negociator – i cili është thjesht është një servis i Thaçit – për këto qëndrime kemi përafrim dhe afërsisht mendime të njëjta, me nuanca që normalisht mund të kemi edhe ndonjë dallim. Kjo është esenciale tash për tash, ndërkaq për të tjerat mbetet për më vonë të shihet sepse është shumë e qartë që ne kemi afri”, tha Beqiri.

Beqiri nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen LDK të ketë një bashkëpunim (koalicion) për qeverisje me Vetëvendosjen, por edhe me ndonjë subjekt tjetër politik.

Të ngjashme