Beqiri: Thaçi po e keqciton presidentin Rugova për qëllime të politikës së vet të dështuar

Prishtinë | 24 Gus 2018 | 19:37 | Nga

Sekretari i LDK-së dhe deputeti i kësaj partie, Ismet Beqiri ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit Hashim Thaçi, duke thënë se “ai po e keqciton presidentin Rugova për qëllime të politikës së vet të dështuar”.

Presidenti Thaçi ka deklaruar se edhe presidenti Rugova ka kërkuar në vitet e 90-ta këmbim të territoreve me Serbinë.

“‘Jo ndarje të Kosovës, por po shkëmbimit të territoreve’, ky ishte qëndrimi realist dhe i guximshëm i presidentit, Ibrahim Rugova në vitin 1994”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Postimin e plotë të Beqirit, pa ndërhyrje mund ta lexoni më poshtë:

THAÇI PO KEQCITON PRESIDENTIN RUGOVA PËR QËLLIME TË POLITIKËS SË VET TË DËSHTUAR

Qëndrimi sistematik, i shqiptuar me qindra e mijëra herë nga Presidenti Ibrahim Rugova përgjatë gjithë karrierës së tij të shkëlqyeshme politike, ka qenë se pavarësia e Kosovës në kufjtë aktualë është zgjidhje e kompromisit. Këtë e ka thënë edhe kur në veshët e njerëzve, madje edhe të qarqeve politike ndërkombëtare, ka tingëlluar si kërkesë maksimaliste, kur ata angazhoheshin për rikthim të autonomisë, edhe kur te të tjerët ka tingëlluar si kërkesë minimaliste, tek ata që kanë synuar ose deklaruar se kanë synuar bashkimin e viseve shqiptare në një shtet integral shqiptar.

Është i njohur edhe formulimi i tri opsioneve për zgjidhjen e çështjes shqiptare i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, i hartuar dhe miratuar si Deklaratë Politike më 11 tetor. Shih në shtojcë tekstin e plotë dhe të trija opsionet. Këtë qëndrim ka mbajtuar Presidenti Rugova edhe te libri “Çështja e Kosovës” botuar në Paris më 1994. Këtë qëndrim e ka mbajtur edhe më vonë. Në përpjekje për të gjetur përkrahës për idenë e ndarjes së Kosovës, që ky po e zbukuron si ‘korrigjim kufijsh’, Presidenti Hashim Thaçi me ndihmën e vartësve të tij paska gërmuar thellë për të gjetur një rast të vetëm kur Presidenti Rugova paska lënë mundësinë, shkarazi në bisedë për gazetë, e jo në paraqitjet publike, që i ka pasur të rregullta, se mund të konsiderohej edhe shkëmbimi i Luginës së Preshevës më Leposaviqin (jo me komunat e Veriut, jo deri te lumi Ibër!) si zgjidhje për Kosovën.

Ky është keqcitim i rëndë i thelbit të qëndrimit sistematik politik të Presidentit Rugova për pavarësinë e Kosovës, madje edhe në kohën e okupimit të egër serb. Gërmimi i një deklarate për ekspolatim për një qëndrim të sotëm, që s’e mbështet asnjë parti poli tike shqiptare, as Partia e tij Demokratike, e zbulon Thaçin si manipulator të paskrupullt.

Do të bënte mirë Thaçi të distancohej publikisht prej deklaratave të tij publike fyese për Presidentin Rugova në të gjallë të tij para se të përpiqej të na tregonte se gjoja ndjek rrugën e tij. Le ta lexojë ai, me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij Presidentin Rugova të plotë, dhe le të ndjekë vijën strategjike të tij. Këto keqcitime për konsum politik ditor le t’i lërë se ndoshta i bëjnë nder Thaçit si person, por jo institucionit të Presidentit të Kosovës, aq më parë që presidenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike, madje me votë popullore dy herë (1992 dhe 1998) ka qenë Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidenti Rugova e kishte përkrahjen e të gjitha partive politike shqiptare, të të gjithë shqiptarëve në ish- Jugosllavi, ndërsa Thaçi të askujt aktualisht pos të ideatorëve serbë për ndarjen e Kosovës dh e të ndonjërit këshilltar të tij. Gjeni më poshtë Deklaratën Politike për tri opsionet e zgjidhjes se çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, miratuar nga Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare, kryetar i të cilit ishte Ibrahim Rugova, e cila, siç e thashë është riafirmuar prej tij edhe më 1994, edhe më vonë.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme