Berisha: Bashkimi Kombëtar i shqiptarëve është i pashmangshëm

Prishtinë | 14 Pri 2021 | 16:40 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur më gjerësisht mbi idenë e Bashkimit Kombëtar, Mini-Shengenin-Ballkanik dhe idenë e shkëmbimit të territoreve.

Berisha tha se pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës në vitin 2013, ai së bashku me ish-presidentin Thaçi, u bënë promotorë të ndryshimit të kufinjve dhe ndarjes së Kosovës.

Ai po ashtu foli mbi ndikimin që pritet të ketë në politikën rajonale dhe më gjerë dyshja Osmani-Kurti.

Ish-kryeministri shqiptar ‘zbulon’ detaje të panjohura më parë, mbi vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit.

Këto dhe shumë tema të tjera i’u ftoj të lexoni intervistën e plotë dhënë për “Gazeta Blic” të ish-kryeministrit dhe ish- kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha.

Intervista e plotë:

Gazeta Blic:  Zoti Berisha, muajt e fundit në Kosovë po përflitet shumë ideja e Bashkimit Kombëtar, si i vlerësoni këto deklarata dhe sa është e mundur të realizohet diçka e tillë ?

Sali Berisha: Në bindjen time Bashkimi Kombetar i shqiptarëve është i pashmangshëm. Ideaja e ‘Bashkimit Kombetar’ si ide udhëheqëse dhe si ideal kombëtar është diktuar nga njëra anë nga padrejtesitë më të mëdha historike të Europës ndaj shqiptareve, coptimit të trojeve te tyre në të cilat ata kudo ishin shumicë etnike, dhe vazhdimësi gjeografike.

Pra është nje ide e hershme e shfaqur dhe konkretizuar nga fundi i viteve 70-të shekullit te 19-të në kulmin e perpjekjeve të Fuqive të Mëdha të kohës për të mohuar ekzistencën, kombin shqiptar, asgjësuar atë dhe coptuar trojet e tij.

Ndarja e parë e madhe e kombit dhe trojeve shqiptare ndodhi gjatë Perandorisë Otomane, e cila jo vetëm nuk njihte kombin shqiptar por coptoi në tre dhe kater vilajete trojet shqiptare. Ndarja e madhe e trojeve me pas në vitet e Krizes Lindore, mesi i viteve 70 te shekullit te 19, kjo ndarje u konkretizua me coptimin e mëtejshem të trojeve shqiptare dhe tani tjetërsimin e tyre në favor të fqinjëve grabitqar.

Kështu ideja e ‘Bashkimit Kombetar’ u kristalizua pikërisht ne vitet e Lidhjes së Prizrenit dhe që nga ajo kohë deri në vitet e fundit të Luftës së Parë Botërore, shqiptarët derdhën lumenj gjaku për bashkimin e tyre në një shtet të lirë të veçantë fillimisht nën sovranitetin e Turqisë dhe me pas të pavarur.

Me gjithë zgjimet e fuqishme dhe letargjitë e zgjatura ajo nuk njohu shuarje kurrë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore shqiptarët patën të gjitha mundësitë të bashkoheshin në luftë kundër pushtuesve nazifashist dhe sebomëdhenj. Por kjo nuk u realizua sepse Tito e pengoi atë nëpërmjet repartit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë qe themeloi në Tiranë me emrin Partia Komuniste e Shqipërisë por edhe për shkak të brishtësisë, dobësive dhe konfuzionit të nacionalizmit shqiptar.

Pas lufte, Enver Hoxha, siç dëshmojnë dokumente të shumta, jo vete la me qëllim Kosovën dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi por ai ndërmori të gjitha aktet që të shndërronte Shqiperinë në Republikë të shtatë të Jugosllavisë.

Pas çlirimit të shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri nga diktaturat komuniste, shqiptarët në Kosovë, udheheqja e tyre politike me qëndrimet e tyre por edhe qeveria e Shqiperisë arritën të vendosin çështjen shqiptare në tryezen e fuqive të mëdha të kohës. Në drejtim të zgjidhjes sa janë shënuar arritje të mëdha, historike. Shqiptarët në Kosovë kaluan nga rezistenca paqësore në luftë guerrlie te armatosur. NATO me fuqinë e saj ajrore bëri të mundur çlirimin e Kosovës. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut arritën me forcën e armëve të diktojnë marrëveshjen e Ohrit. Shqiptarët në Mal të Zi luajtën rol thelbësor në pavarësinë e Malit të Zi.

Përparimi në drejtimin e duhur të zgjidhjes përfundimtare të çështjes shqiptare ishte i jashtëzakonshëm. Por megjithe këtë, ideali i bashkimit kombëtar i shqiptarëve mendoj se është i perjetshëm. Mirëpo tani duhet patur parsysh se megjithë rolin themelor të shqiptarëve në këto procese, aksionerë përcaktues të tyre kanë qenë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Kështu që parimi i partneritetit dhe luajalitetit nuk lejon vendime apo veprime të njëanshme të shqiptareve ndaj një statusi të vendosur ndërkombetarisht dhe me miratimin e tyre të sanksionuar në akte dhe marreveshje dhe ligje ndërkombëtare.

Kështu që ideja e Bashkimit Kombëtar, për realizimin e plotë të saj kërkon së pari mirkuptim të plotë nga aleatët tanë kryesorë por edhe çlirimin e fqinjëve tanë nga albanofobia dhe dëshmimin e shqiptarëve para komunitetit ndërkombëtar se ky proces konsolidon me tej paqen, stabilitatin në rajon. Por këtu dua të shtoj se idenë e Bashkimit Kombëtar e nxit dhe e favorizon dhe armiku kryesor i kësaj ideje, serbomadhi Vuçiç me mohimin që ai i bën shtetit te pavarur të Kosovës dhe pretendimet e tij territoriale luftënxitëse ndaj tij. Me këto qëndrime të bazuara krykëput në doktrinën e serbomadhisë, Vuçiç nxit kështu një përballje të re midis agresorve serb dhe shqiptarëve, e cila pavarësisht nga çmimi do përfundoje me fitoren e shqiptarëve mbi agresorin serb dhe bashkimin e tyre përfundimtar.

Gazeta Blic: Sa e shihni të realizueshëm projektin e “Mini-Shengenit” Ballkanik, nëse po, a ka përfitime apo pasoja për shqiptarët?

Sali Berisha: Projekti i Mini- Shengenit ka qenë një ide e levizjes vetëm me letërnjoftime të qytetarëve ne vendet e hapësirës së Ballkanit Perëndimor, zbatimi i të cilës ka filluar vite më parë. Në këtë kontekst, mendoj se kjo është lehtësi dhe paritet. Mirëpo Mini- Shengeni, i cili bazohet në traktatin e Novi Sadit, traktat i shkruar në Beograd dhe të cilin përveç autoriteteve serbe nuk e ka lexuar njeri, është problematik. Në Samitin e themelimit të tij u përjashtua nga Vuçiç dhe Rama, Kosova. Nga Novi Sadi u përhapën harta që shuanin kufinjtë e Kosovës me Serbinë dhe një të tillë e publikoi edhe Edi Rama në FB e tij. Kosova me të drejtë e kundërshtoi, dhe këtë kundërshtim Edi Rama e përdori për të shpallur luftën e ftohtë nga Tirana me Prishtinën.

Gazeta Blic: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, e ka përkrahur me ngulm këtë projekt, (Mini-Shengenin) ndërsa ju e keni kundërshtuar vazhdimisht, pse ?

Përkrahja që Edi Rama i bëri që në fillim projektit të Vuçiçit ishte përkrahje vasaliteti dhe në dëm të Kosovës. Më vonë në Shtëpinë e Bardhë u firmos një marrëveshje, e cila përfshinte edhe Mini -Shengenin pa cituar askund traktatin e Novi Sadit dhe në kushtet e paritetit të plotë. Jashtë kushteve të paritetit të plotë asnjë marrëveshje nuk mund dhe nuk duhet pranuar.

Gazeta Blic: Zoti Berisha, keni deklaruar kohë më parë se shkëmbimi i territore të Kosovës është një ide e Serbisë së Madhe dhe keni akuzuar edhe ish-Presidentin Thaçi dhe kryeministrin Rama si të përfshirë drejpërdrejtë në këtë projekt?!

Sali Berisha:Projekti i ndarjes së Kosovës dhe hartat e ndarjes saj kanë qarkulluar dhe janë nxitur në fillimet e viteve 90-të nga Sllobodan Millosheviçi si një zgjidhje e problemit të Kosovës, natyrisht gjithnjë në kuadrin e Serbisë së Madhe. Kjo ide është kundërshtuar preras nga Shqipëria. Ajo nuk është pranuar nga qeveria e SHBA-ve, dhe e verteta është se Kosova u çlirua në tërë territorin e kufinjve të saj në hartën e ish -Jugosllavise dhe këta kufinj u njohën si kufinjtë e saj ndërkombëtar, pas çlirimit të saj, në marrëveshjen e Kumanovës e më vonë në dokumentin Ahtisari dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombetare të OKB-së.

Kosovën në këta kufinj e njohën si shtet të pavarur mbi 115 vende në të katër anët e kontinentet. Pas vitit 2005 pala serbe bëri përpjekje që të negocionte me Shqipërinë për problemin e Kosovës, por këto përpjekje morën një përgjigje kategorike negative nga qeveria shqiptare. Qëndrimi ynë ishte se marrëveshja midis dy vendeve duhet të negociohet vetëm nga Kosova dhe Serbia dhe se Shqipëria nuk merr kurrë pjesë në këto negociata, populli i Kosovës së pavarur ka qeverinë dhe pushtetin e tij përfaqësues.

Përveç kësaj ne kundërshtuam çdo ide për ndryshimin e kufinjve apo shkëmbimin e territoreve. Me qëndrimet tona ishin plotësisht dakord SHBA-të dhe partnerët tanë të tjerë ndërkombëtarë.

Pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet në vitin 2013 dhe vizitës së tij në Beograd, takimit të tij kokë me kokë me serbomadhin Vuçiç, skenari i ndryshimit të kufinjve të Kosovës dhe ndarjes së saj, mori jetë.

‘Trojka’ e argatëve të Beogradit, Edi Rama apo siç e quajnë mediat Zografi Bis, ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Baton Stanishiq,  në një seri takimesh të fshehta dhe të hapura u bënë flamurtarë të projektit të Serbisë së Madhe, ndryshimit të kufinjve madje dhe ndarjes së Kosovës.

Në funksion të kësaj politike serbomadhe dhe antishqiptare u mbuluan me heshtje të tmerrshme gjenocidi dhe krimet kundër njerzimit që agresorët kryen në zbatim të operacionit famezi “Patkoi” në Kosovë. Në funksion të kësaj politike antishqiptare por dhe çnjerëzore u mbrojt dhe perhap teza antihistorike e Beogradit e luftes civile në Kosovë duke barazuar keshtu agresorin me viktimën. Në funksion të projektit të Serbisë së Madhe, argatët shqipfolës të Beogradit deklaronin se Leposaviqi nuk ka qenë Kosovë por na e ka ngjitur serbomadhi Rankoviç, madje dhe se në galeritë e Trepçës në anën shqiptare xehret janë mbaruar ndaj dhe Trepça duhet ti kalojë Beogradit etj etj etj.

Po pse e lidh unë këtë me Edi Ramën?

E vërteta është se në të gjitha takimet e mia si kryeministër i Shqipërisë me udhëheqjen më të lartë politike te Kosovës, kjo e fundit të gjithë pa përjshtim në bisedime zyrtare dhe private ka kundërshtuar preras idenë e ndryshimit të kufinjve të Kosovës. Por duket se njëri prej tyre, dhe ky është ish- presidenti Thaçi, kundershtimin e ka patur jo të vërtet, dhe me ardhjen e Edi Ramës në pushtet ndryshoi qëndrim dhe u bënë së bashku promotorë të idesë se serbomadhisë.

-Nëse do të ndodhte shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, cilat do të ishin pasojat për shqiptarët në përgjithësi?

-Shqiptarët do të humbisnin një pjesë të gjerë të territoreve të tyre dhe Kosova do shpërbehej. Ajo ndahej midis Shqipërisë dhe Serbisë natyrisht gjithçka në favor të Serbisë së Madhe, krijimin e të cilit, njelloj siç e paralajmeroi dikur Millosheviçi në Fushë- Kosovë, e paralajmëroi përsëri pas 3 dekadash Gebelsi i Millosheviçit, serbomadhi Vuçiç në vizitën e tij të fundit në Zubin Patok, Liposaviq dhe Mitrovicën e Veriut.

Gazeta Blic: Në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë fitoi Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin, çfarë prisni nga zoti Kurti sa i përket dialogut Kosovë-Serbi?

Sali Berisha: Pres qe dialogu Kosovë – Serbi të rivendoset në shinat dhe parimet e paritetit, dialog midis palëve të barabarta që do perfundojë me një marrëveshje në të cilën secila palë do marrë përsipër përmbushjen e detyrimeve në bazë të ligjeve ndërkombëtare që dy vende të pavarura kanë ndaj njëri- tjetrit.

Gazeta Blic:Si e shihni pjesmarrjen në zgjedhjet e 25 prillit të Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, a prisni befasi nga kandidatët e VV-së?

Sali Berisha: Mendoj se pjesemarrja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri është një gjë krejtësisht normale, legjitime dhe demokratike.Por se cili do të jetë rezultati konkret i kandidatëve të saj në këto zgjedhje duhet të presim 25 prillin për të mësuar.

Gazeta Blic:  Vjosa Osmani tashmë ka marrë postin e presidentit të Kosovës, si e shihni rolin e dyshes Osmani- Kurti në politikën rajonale dhe më gjerë ?

Sali Berisha: Mendoj se Zonja Vjosa Osmani u zgjodh presidente nga qytetarët dhe parlamenti i Kosovës ratifikoi me votën e deputetëve të tij këtë zgjedhje.

Personalisht jam i bindur se në kushtet e një qeverie por edhe opozite të fortë, Zonja Osmani dhe Zoti Kurti me reforma të rëndësishme do konsolidojnë në Kosovë demokracinë, shtetin ligjor dhe ekonominë funksionale të tregut, do rrisin mireqenien dhe zhvillojnë më tej Kosovën dhe do ta afrojnë atë më shumë me NATO-n dhe BE-në.Perveç këtyre jam i bindur se ata do ti rikthejnë Kosovës në tryezen e negociatave dhe arenën ndërkombëtare, dinjitetin e merituar. Në këtë mënyrë roli i Kosovës do bëhet gjithnjë dhe më i rendësishëm në rajonin tonë.

Yllka Isufi: Kthehemi pak tek Gjykata Speciale, ish-krerët e UÇK-së ndodhen në Hagë ku janë të akuzuar për krime lufte, a besoni në pafajësinë e tyre?

Sali Berisha: Në konceptin universal çdo i akuzuar është i pafajshem. Unë jam thellesisht i bindur se UÇK nuk ka qenë një organizatë kriminale, anëtarët e saj kanë qenë luftetarë të lirisë. Është e vertet se pas futjes së trupave të NATO-s në Kosovë janë të dokumentuara vrasjet e 200 drejtuesve, aktivistëve të LDK por edhe komandantëve dhe luftëtarëve të lirisë. Hetimi i paanshem, gjetja dhe ndëshkimi i autorëve të këtyre krimeve është e domosdoshme për drejtësinë dhe paqen sociale të Kosovës.

Personalisht nuk kam asnjë dijeni konkrete për autoret e këtyre vrasjeve përveç ish- ministrit të mbrojtjes së qeverisë së Kosoves, Kolonel Ahmet Krasniqi, i cili është ekzekutuar në pragun e shtëpisë ku banonte në prani të dy oficerëve te Shik-ut të Shqipërisë që drejtohej nga Fatos Klosi, të cilin nuk e ka hetuar asnjeri për këtë krim të shëmtuar.

Gazeta Blic: Si e shihni epilogun e gjykimit të tyre në Hagë ?

Sali Berisha: Lidhur me epilogun e gjykimit të ish-udheheqësve të UÇK dhe më vonë edhe të Republikës së Kosovës, kam bindje se akuza se kanë drejtuar një organizatë kriminale, akuzë e përsëritur qindra herë në politikën dhe mediat e Beogradit, nuk qëndron dhe do të bjerë njëlloj si ajo e transplantit të organeve. Nuk kam dijeni për akuzat tjera por uroj që të akuzuarit të faktojnë para gjykatës dhe mbarë botës pafajësinë e tyre.

Gazeta Blic: Qytetarët e Shqipërisë me 25 prill u drejtohen kutive të votimit, si e parashikoni rezultatin zgjedhor ?

Sali Berisha: Unë parashikoj një fitore të sigurtë dhe të merituar të Partisë Demokratike dhe opozitës.

Gazeta Blic: Me 26 prill, nëse PD-ja me në krye Lulzim Bashën vjen në pushtet cilat janë detyrat emergjente që duhet të fillojë të kryejë?

Sali Berisha: Mendoj se detyra më e rëndësishme e kryeministrit të ardhshëm Lulzim Basha, kabinetit dhe mazhorancës së re është rikthimi, rivendosja në Shqipëri e shtetit ligjor të zëvendësuar në këto vite me narkoshtetin e Edi Ramës.

Gazeta Blic: Pas zgjedhjeve, cilat janë pritshmërite tuaja rreth rrugës së Shqipërisë drejt BE-së?

Sali Berisha: Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, në bindjen time do të çel me reforma dhe suksesin e tyre negociatat me Bashkimin Europian dhe do të ecë me ritme dhe hapa të sigurtë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Gazeta Blic: Duke qenë se jemi me profesion edhe mjek, si e keni parë menaxhimin e Pandemisë Covid-19 në Shqipëri dhe Kosovë, çfarë do të duhej të ishte bërë ndryshe?

Sali Berisha: Keqmenaxhimi ekstrem i pandemisë në Shqipëri, mungesat e mëdha në materiale mbrojtëse ndaj covid-19, shndërrimi i spitaleve, shkollave ne bomba biologjike, numri i kufizuar i shtretërve spitalor dhe shtretërve të reanimacionit për shtrimin e të sëmurve me covid-19, ka patur për rezultat vdekjet e tepërta gjatë pandemisë, më të lartat në Europë dhe më të lartat në botë pas Perusë.Të dhënat e fundit të publikuara, faktojnë se vdekjet e tepërta në Shqipëri gjatë 1 viti të pandemisë janë mbi 300% apo mbi tre herë më të larta se se në Kosovë.Përveç kësaj në Shqipëri vdekshmëria e mjekëve nga covid-19 është 10 herë më e lartë se në Itali dhe është më e lartë se sa në çdo vend tjetër të planetit.

Kurse menaxhimi i pandemisë në Kosovë mendoj se ka patur edhe të meta por ka qenë shumë herë më i mirë, më transparent, më serioz më shkencor se sa në Shqipëri.Kosova vendosi në dispozicion të trajtimit të të semurve me covid-19 trefishin e shtretërve që vendosi Shqipëria.Rezultati është se Kosova pati gjatë vitit të pandemisë 50% vdekje të teperta për 1 milionë banorë më pak se sa Shqipëria.

Të ngjashme