Berisha, PLE: Lista Serbe po shkel parimet e demokracisë, do të ankohemi deri në Gjykatën Kushtetuese

Prishtinë | 19 Shk 2021 | 16:49 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), Veton Berisha, thotë se do të ankohen edhe në Gjykatën Kushtetuese pasi dyshojnë se Lista Serbe u ka siguruar vota personave të caktuar nga parti të komuniteteve të tjera – që më pas të njëjtit të futen në parlament të Kosovës dhe të kontrollohen nga ta, raporton Ekonomia Online.

Berisha thotë se iniciativa që mund të marrë deputetin e rezervuar për egjiptianët, “Romani Iniciyativa”, është produkt i Listës Serbe.

Ai shton tutje se kjo parti ka marrë vota nga zona ku nuk jetojnë komuniteti rom.

“Në fakt është një situatë e papritur, para zgjedhjeve ka qenë e thënë prej medieve dhe me ju thënë të drejtën e kam marrë si diçka të pabesueshme. Në fakt rezultatet e fundit të cilat janë të publikuara në faqen e KQZ-së tregojnë që është një situatë e re e papritur, vendet e garantuara janë vende për komunitetet etnike, 10 janë të ndara për serbët dhe 10 janë të ndara për komunitetet e tjera. Në rastin tonë është një situatë e re ku në rastin konkret iniciativa rome,  e cila ka dalë pak ditë para zgjedhjeve, ka dal dhe ka siguruar rreth 4000 mijë vota, vota të cilat janë në përkrahje të këtij subjekti, ndërsa votat prej vendit ku kanë ardhur këto vota e dëshmojnë që në atë zonë dhe në ato vendbanime nuk ka pasur asnjëherë komunitet rom, dhe nuk ka as këto ditë dhe kjo na bën me tregu që rezultati ka tregu që kjo iniciativë i ka sigurua dy mandate në Kuvendin e Kosovës”, tha Berisha.

“Është duke u instaluar një ndikim i fuqive politike duke u munduar, sepse tek komunitetet konsiderohet se mund t’i marrin më lehtë deputetët me më pak vota, por në njërën anë e cenon demokracinë drejtpërdrejtë, në këtë rast ekziston një rrezikshmëri shumë e madhe, në këtë formë do kemi deputetët të cilët janë të dirigjume”, theksoi ai.

“Në situatën të cilën gjendemi ekziston  një rrezik, ku edhe tash në këtë mandat po edhe në të ardhmen do të ketë deputetë të cilët nga komunitetet jo-shumicë jo serbe dhe jo shqiptare do ketë deputetë të cilët nuk janë të zgjedhur nga të zgjedhurit e tyre të përkatësisë etnike, dhe në këtë rast po cenohet Kushtetuta dhe të drejtat e komuniteteve të garantuara me ligj, dhe konsideroj që është momenti final për me parandalu këtë mandat këtë situatë m’i anulua këto vota, m’i verifikua dhe mos me lejua këtë gjë”, tha mes tjerash Berisha.

Berisha tha që janë pritje të rezultateve preliminare dhe atëherë do ankohen në të gjitha instancat Kushtetuese për të drejtën e tyre.

“Sigurisht ne jemi në pritje të rezultateve preliminare, sepse atëherë na jepet e drejta e ankesës, por këto rezultate të dala që i kemi në faqe janë dëshmi e mjaftueshme që ne të përgatisim proces. Do të ankohem në PZAP, në Gjykatë Supreme, sigurisht shpresën e fundit e kemi tek Gjykata Kushtetuese, për shkak që vetëm ata mund të konstatojnë këtë shkelje që është rrezik për vendin”, tha tutje ai.

Tutje Berisha tha që fillimisht janë duke luftuar për të drejtën e tyre dhe nuk kanë asnjë të drejtë që të flasin për qeverisjen në ardhje, por nëse bëhen pjesë e qeverisë së ardhshme, nuk do të pengojnë asnjë proces të rëndësishëm për zgjedhjen e Presidentit.

“Ne fillimisht jemi duke luftuar për të drejtën tonë dhe për të kaluar në Kuvend, normalisht që në këtë fazë nuk kam asnjë të drejtë të flas për ardhjen në qeverisje, sepse jemi duke mbrojtur një të drejtë që është ka cenohet, dhe nuk ka  mandat që është marrë nga iniciativa rome”, deklaroi ai.

“Ne në këtë fazë nuk e dimë, por në rast që ne do jemi pjesë e qeverisjes nuk do ta pengojmë asnjë proces të rëndësishëm për Kosovën e as zgjedhjen e Presidentit”, përfundoi ai.

Të ngjashme