Berisha ironizon me Kurtin: Mirëserdhe nga një mision i vështirë nga Çamëria

Prishtinë | 14 Kor 2022 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka thumbuar kryeministrin Kurti për qëndrimin nëntë-ditor në Greqi, duke thënë se ka shkuar atje për të zgjeruar trojet shqiptare.

Në seancën e sotme, Berisha i uroi mirëseardhje kreut të Qeverisë ‘nga një mision i vështirë’.

Ai madje, sërish me ironi, e falënderoi për kontributin në çështjen e problemit të çamëve në Greqi.

“Dua ta falënderoj kryeministrin. Para se ta falënderoj, dua të bëj një reagim ndaj Arben Gashit i cili i tha Kurtit se qenke rrezitur mirë, dua t’i them se kryeministri duke e njohur nuk ka shkuar me u rrezit, por me zgjeru projektin e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, duhet të keni më shumë konsideratë në vlerësim. Mirë se ke ardh nga një mision i vështirë, faleminderit që po kontribuon në çështjen e problemeve të çamëve në Greqi”.

“Mostransparenca në çështjet që kanë të bëjnë me shtetin, veçmas për dialogun përben një shkelje edhe të kushtetutës sepse edhe ne si deputetë edhe qytetarët kanë të drejtë të dinë për të gjitha këto çështje, por edhe për kohën e gjatë në Greqi. Pres nga grupet parlamentare që kryeministri të thirret në një interpelancë dhe të bëjë një sqarim”, tha Berisha.

Të ngjashme