Berisha për: S’kam pasur asnjë takim me presidentin për kalim në GP të LDK-së, është spekulim

Prishtinë | 11 Jan 2020 | 11:15 | Nga Ekonomia Online

Zvarritja e marrëveshjes për bashkëqeverisje nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, po anon të sjellë situata të reja në këtë fazë delikate që u krijua pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Në media u raportua se tre deputetë të minoriteteve do t’i bashkohen LDK’së, kështu për të krijuar grupin më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës. Madje u tha se presidenti Hashim Thaçi ftoi ata në takim për t’i bindur që të marrin një veprim të tillë…

Bëhet fjalë për Etem Arifin nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Veton Berishën nga Partia Liberale Egjiptiane dhe Albert Kinollin nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Por Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, në një deklaratë për Periskopin ka mohuar raportimet e tilla, duhe i quajtur veç spekulime. Ai thotë se në këtë fazë s’ka pasur asnjë takim me presidentin Thaçi.

‘’Jo nuk jam takuar në këtë fazë me presidentin Hashim Thaçi. Jam taku sa kam qenë në mandatin e kaluar. Spo e di prej nga është ky spekulim. Të paktën ajo pjesa e presidentit, s’ka të bëjë me mua’’, ka thënë Berisha për Periskopin.

I pyetur nëse ka diçka të vërtetë për kalimin e tij dhe dy kolegëve të tjerë në grupin Parlamentar të LDK’së, ai nuk ka dashur të deklarojë diçka konkrete.

‘’ Ne kemi pasë takime, orientimi jonë mund të jetë kudo. Por pjesa e presidentit s’ka të bëjë me mua asnjëherë. S’ka dalë asgjë nga ne. Ne po e presim marrëveshjen e tyre. Nashta shkojmë në zgjedhje krejt dhe s’ka me pasë asnjë grup’’, është përgjigja e Berishës.

Në rast se ndodh ky kalim siç po raportohet,  LDK do të jetë grupi më i madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës,  me 31 deputetë. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, fituesja e zgjedhjeve të 6 tetorit, do të dal në vendin e dytë sa i përket numrave në Kuvend, me vetëm një deputet më pak.

Kujtojmë që tash e tre muaj nga zgjedhjet, LDK dhe VV nuk kanë arritur të dakordohen për formimin e një koalicioni qeverisës. Albin Kurti e Isa Mustafa gati çdo ditë caktojnë takime, por marrëveshja nuk po rezulton askund.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme