Berisha: VV-LDK të pandershme, për pushtet e karrige po rrezikojnë shtetin

Prishtinë | 17 Jan 2020 | 11:32 | Nga Bashkim Bekolli Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-komandanti i luftës së Koshares, njëherësh edhe ish-kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hisen Berisha përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të formuar qeverinë, po i vlerëson të pandershme dhe joparimore.

Berisha në një intervistë për Ekonomia Online thotë se dy partitë që u renditën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit po udhëhiqen nga pandershmëria në tendencën e tyre për të krijuar institucionet e reja.

Ai thotë se përveç luftës për pushtet e karrige këto dy parti nuk kanë as program të harmonizuar, pavarësisht se ato pretendojnë se kanë përafruar objektivat programore 100 për qind.

“Se ka pandershmëri në tendencën e tyre për të krijuar institucionet e kam vërejtur pa filluar zgjedhjet edhe pas zgjedhjeve. Këta po udhëhiqen nga pandershmëria. Nëse i analizojmë edhe si programe LDK-ja si djathtiste dhe VV-ja si parti e majtë atëherë parimisht për mendimin tim ka qenë e pamundur të arrihet një përafrim politik dhe të udhëheqin me vendin. Nuk mund të aludojmë në vendet e fuqishme dhe nuk mund të krahasojmë veten me përvoja siç është Gjermania, Franca apo Anglia. Kemi dëgjuar shpesh prej tyre se kanë përafruar objektivat programore 100 për qind. Tash çështja shtrohet, në harmonizimin e programit qeverisës do të thotë se për çështje të caktuara të qeverisjes kanë arritur një pajtueshmëri dhe në momentin që janë dakorduar, po e zëmë në çështjen e taksës që politikat e majta dhe të djathta te taksa thyhen. Dhe ta supozojmë që janë pajtuar me konceptin djathtistë mbi taksën, tashmë me automatizëm dihet se cili është ministri”, thotë ai. 

Anëtari i PDK-së thotë se po të kishin harmonizim të programit do të zgjidhnin edhe çështjen e pozitave, prandaj beson se dy partitë në fjalë nuk kanë fare harmonizim të programit qeverisës.

“Çka po dua të them me këtë se kanë mundur gjatë harmonizimit të programit ta dinë se cilat dikastere do t’i takojnë secilës parti. Kjo nënkupton se pandershmëria është brenda vet harmonizimit të programit, sepse nuk kanë fare harmonizim programor. Dhe deri më tani asnjë qytetar si ka dëgjuar të thyhen për çështje programore, por të gjitha përplasjet janë për karriget. Një diçka që këta e kanë ndërtuar edhe kauzën e tyre mbi këtë temë që nuk do të ketë zvarritje të institucioneve për shkaqe të pozitave dhe karrigeve. Të dy liderët i VV-së dhe i LDK thonin se e kemi harmonizua 100 për qind programin, kurse çështja e pozitave do të jetë temë shumë e shkurt brenda 48 orësh. Dhe sot po bëhen 4 muaj, për matematikën e karrigeve”, thotë ai.

Berisha “kërcënimet” e VV-së dhe LDK-së se nëse nuk arrijnë të bëjnë qeverinë do të shkojnë në zgjedhje, Berisha po i vlerëson të rrezikshme dhe për interesa personale.

“Projekti për të shkuar në zgjedhje se do të marrin përqindje më të madhe është turp dhe lojë me moralin qytetar. Mos harroni se po të kishte vërtet shoqëri civile dikush duhej të penalizohej për buxhetin që është shpenzuar për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe dërgimin e vendit në krizë që prapë të mbajnë zgjedhje, për cka sepse unë synoj që nëse shkoj në zgjedhje i marr 40 apo 52 për qind dhe se dal me kauzën e re të rrejshme të cilën po pretendojnë ta ndërtojnë gjatë bisedimeve se po më pengon ky subjekt apo ky individ ta bëjmë qeverinë. Jo, jo po iu pengojnë thjesht interesat joprogramore, sociale, ekonomike, zhvillimore, por thjesht pozitat dhe karriget”, thotë ai. 

Ish-komandanti i luftës së Koshares po vlerëson se Isa Mustafa është duke e zhveshur Kurtin nga parimet dhe se do ta qet keq para votuesve të vet.

Ndërsa thotë se asnjëri liderë nuk e ka synim të arrijë marrëveshje, por vetëm të dobësojë pozicionin e partnerit.

“Profesor Mustafa, akademiku i ekonomisë dhe i politikës, ashtu siç i ka zhvesh shumë liderë deri më sot, po e zhvesh edhe këtë që e ka marr si partner dhe do ta nxjerr siç nuk e presin qytetarët ta shohin, tërësisht jashtë deklaratave pompoze dhe populiste për të arritur diçka. Nëse këta e kanë formulë të bashkëqeverisjes së tyre forcimin e vetvetes ose subjektit të vet duke e dobësuar partnerin atëherë është formulë e gabuar dhe kjo do të na dërgojë në krizë, sepse kështu nuk qeveriset vendi. Dhe kjo dukshëm po vërehet që tendenca e tyre është të forcojnë subjektin e vet duke dobësuar partneritetin qeverisës”, thotë ai.

Berisha beson se nëse nuk arrihet një marrëveshje për të formuar qeverinë, ekziston rreziku për destabilizim të vendit.

Shkuarjen në zgjedhje të reja po e vlerëson si hap të rrezikshëm.

“Tendenca e tyre për të imponuar qëndrime pse bëhet si them unë ose shkohet në krizë, do të na qojnë në situata që do ta destabilizonin tërësisht vendin. Ne edhe ashtu jemi të destabilizuar sepse kemi krizë në të gjitha fushat e zhvillimit të jetës shoqërore. Pra tendenca që nëse ne nuk e bëjmë qeverinë do të shkohet në zgjedhje të reja ose, ose, kjo i ka tri pika prapa që do të thotë dalin në rrugë dhe të bëhen të dhunshëm”, thotë ai.

Të ngjashme