Berisha: VV po e sfidon vendimin e Gjykatës që s’ia mori të drejtën për t’u zgjedhur Etem Arifit

Prishtinë | 02 Dhj 2020 | 11:05 | Nga Ekonomia Online

Besnik Berisha, i autorizuar për të përfaqësuar Qeverinë e Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese për rastin e votës së deputetit Etem Arifi, e ka konsideruar të papranueshme kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që vota e këtij deputeti për formimin e Qeverisë Hoti, të shpallet e pavlefshme.

Sipas Berishës, çështja e dënimit të deputetit Arifi s’mund të lidhet me legjislaturën e shtatë, por me atë paraprake. Ai ka thënë në fjalën para Gjykatës Kushtetuese se koha e dënimit të Arifit nuk lidhet me legjislaturën kur deputeti votoi pro formimit të Qeverisë Hoti. Berisha ka thënë se deputeti Arifi nuk ka pasur dënim që ia mohonte të drejtën e zgjedhjes.

“Zoti Arifi e ka humbur mandatin e deputetit në legjislaturën e gjashtë. Pasojat e këtij vendimi janë ekzekutuar dhe kanë pasur fuqi në mandatin e gjashtë. Është e parëndësishme kur është njoftuar Kuvendi”, ka thënë ndër tjerash ai.

Ai ka thënë se parashtruesi i kërkesës, Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes, po e sfidojnë vendimin e gjykatës që s’i ka dhënë dënim plotësues deputetit Etem Arifi, pra ndalimin e të drejtës për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur, na.

“Duket se çështja e Arifit nëse kishte apo jo mandat legjitim kushtetues dhe ligjor tashmë nuk është subjekt, pasi që ata pranojnë që Arifit është certifikuar nga KQZ-ja. Vendimi që këta i referohen është e një legjislature më parë. Unë krijova përshtypje që këta sfidojnë vendimin e Gjykatës, që nuk ia ka ndaluar Arifi të drejtën për t’u zgjedhur”.

“Ndaj Arifit nuk kishte vendim plotësues të Gjykatës. Këta sot sfidojnë vendimin e Gjykatës për t’u zgjedhur. Një vendim ka formën e prerë, kur ndaj tij nuk mund të shtrohet ankesa, ose ankesa është e palejuar. Këta fajësojnë se ndaj tij nuk është shqiptuar një vendim plotësues. Askush nuk mund të privohet nga e drejta për t’u zgjedhur pa një vendim plotësues”

“Parashtruesi i kërkesë thotë se zgjedhja ose kandidimi i Etem Arifit ishte në papërshtatshmëri ligjore, respektivisht kushtetuese dhe ky është themeli i kërkesës sot. Për mua kjo është një kërkesë e re sepse askund deri më sot nuk e kanë sfiduar papërshtatshmërinë e zgjedhjes së tij”.

Të ngjashme