Berishaj e mohon aferën korruptive: E kam paditur portalin slloven, s’kam pushkë për mediet e Kosovës

Prishtinë | 17 Nën 2022 | 11:59 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka thënë se e ka paditur portalin slloven që raporti se ai “mori 600 mijë euro nga kompania GEN”, ka qenë e lidhur me zgjedhjet në Slloveni, raporton Ekonomia Online.

Në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Berisha ka thënë se nuk është marrë fare me atë lajm, të cilën e ka konsideruar si të pavërtetë.

“Ka qenë një prononcim i një portali,  i cili ishte një ditë para zgjedhjeve në Slloveni. Qysh nga mosha 16 vjeçare kam qenë atje, dhe njihem me gjithë politikanët atje. Lajmin të cilën ma kanë montuar mua nuk e kam shikuar.

“E pyesnin nëse e njiheni zotëri Martin Berishajn, jeni fotografuar dhe nuk jam marrë me shumë me atë lajm. Unë ashtu siç kam thënë e kam paditur në Lublanë atë portal, i cili ka shpif për mua sepse e drejta e lirisë së fjalës nuk nënkupton me fol gjithçka për një person”, tha ai. 

“Asnjë televizion nuk janë marrë me atë problem fare. Për mediat e Kosovës nuk kam pushkë, janë të lirë me shkruar gjithçka”, tha tutje Berisha.

Kryetari i këtij Komisioni, Driton Selmanaj, e pyeti për kompanitë që i ka në zotërim.

“A jeni drejtor në një kompani në Podgoricë, a jeni aksionar në firmën ‘Muloja’ në Kosovë. A keni bashkëpunim me GEN-in në Serbi”, pyeti Selmanaj.

Ndërsa Berishaj tha se bashkëpunim me GEN-on ka pasur në të kaluarën, pasi e njëjta është firmë sllovene dhe ka filiale në Serbi dhe në shumë vende të botës.

“EM Consallting e kam themeluar në Mal të Zi dhe nuk funksionon që nga viti 2020, është mbyllur dhe nuk rezulton si ndërmarrje që qarkullon. Për firmën e dytë jo nuk jam. E kam shitur në vitin 2019”, tha ai, duke thënë se në ARBK është dashur ta largojë emrin e tij si pronar.

“Dua të jem i qartë. GEN-i është në 25 vende të botës, e njoh shumë mirë dhe 100 për qind në pronësi sllovene. Kam qenë aty si këshilltar, dhe GEN është regjistruar në vitin 2009 në ZRrE. Prandaj nga viti 2019 dhe 2020 nuk jam marrë më me ta sepse pasi kam filluar punën si ambasador kam çliruar”.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, pyeti nëse ka pasur komunikim me krerët e shtetit dhe me ministra të kabinetit qeveritar. Ai e pyeti nëse 600 mijë eurot e përmendura në media, i ka dërguar edhe nëpër partitë politike.

“Gjatë kësaj periudhe që ne po hetojmë, a keni pasur komunikim me ministren Artane Rizvanolli, me kryeministrin Kurti”, pyeti Tahiri.

Por të gjitha këto i mohoi Berishaj, raporton EO.

“Jo nuk kam pasur. Të gjitha takimet që i bëj, janë të shkruara dhe të protokolluara, me gojë nuk ka pasur”, tha Berishaj.

“Me Përgjegjësi morale dhe juridike e them, ato mjete nuk kanë përfunduar as te Albin Kurti, as te Memli Krasniqi e as te Ramush Haradinaj. Asnjë mjet, as në Slloveni e as në Kosovë”, tha Berisha.

Të ngjashme