Bërnabiq e quan Kosovën territor të Serbisë, Tahiri kërkon nga përfaqësuesi i BE-së të reagojë

Prishtinë | 10 Qer 2021 | 21:39 | Nga Ekonomia Online

Në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor që është mbajtur sot në Tiranë, kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka shprehur qëndrimin e shtetit serb se “ Kosova është pjesë e Serbisë”.

Kjo deklaratë vjen para takimit në Bruksel që do të mbahet më 15 qershor dhe si përgjigje në kërkesën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili bëri thirrje që Serbia ta njohë Kosovën.

Mediat serbe kanë raportuar se kryeministrja serbe Ana Bërnabiq u përgjigj se Kosovën nuk e njohin pesë anëtare të BE-së, se Kosova nuk është anëtare e OKB-së dhe se në atë kuptim nuk mund të ketë status tjetër nga ai ekzistues.

Kurti iu përgjigj asaj me një pyetje: “Çfarë do të bësh, a dëshiron të na pushtosh?”.

Ndërsa Bërnabiqi u përgjigj: “Si mendoni se po e okupojmë territorin tonë?”, raportojnë mediat serbe.

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në një përgjigje për “Zërin” e ka cilësuar këtë deklaratë si provokative, duke thënë se sikurse presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe po ashtu Bërnabiqi, që të dy, kanë mbetur me mendje në epokën e kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq.

Tahiri ka theksuar se përderisa të dy vazhdojnë me këtë mentalitet, nuk do të ketë fqinjësi të mirë dhe dialogu do të jetë i pasuksesshëm.

“Nuk duhet të habitemi nga deklaratat e tilla provokuese të liderëve të Serbisë, qoftë të Vuçiqit apo Bërnabiqit, se ata me mendje ende jetojnë në epokën e Millosheviqit i cili ka bërë gjenocid në Kosovë, dhe nuk janë në gjendje të ballafaqohen me të kaluarën. Përderisa vazhdojnë kështu me mentalitet të Millosheviqit, nuk do të ketë as fqinjësi të mirë, as paqe, dhe as dialogu nuk mund të ketë sukses me një mentalitet të tillë millosheveqian”, ka thënë Tahiri.

Ish-kryenegociatorja ka shtuar se përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, si pjesëmarrës në këtë Samit, është i pari që duhet të reagojë rreth kësaj çështjeje.

“Qëndrimet e tilla në fakt janë me pasoja destabilizuese për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe në këtë rast duhet e para të reagojë Qeveria e Kosovës, por edhe Bashkimi Evropian, sepse përfaqësuesi i BE-së ka qenë në Samitin e Ballkanit në Tiranë. I takon atij të parit që në emër të BE-së të reagojë për deklaratat e tilla provokative”, ka thënë Tahiri.

Tahiri po ashtu ka dhënë një mesazh për Serbinë.

“Një mesazh për Serbinë, Gjykata ndërkombëtare për drejtësi e ka vërtetuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Kosova është bërë e pavarur falë gjakut të derdhur. Ky është realitet që askush s’mund ta ndryshojë”, ka deklaruar ish-kryenegociatorja Edita Tahiri.

Ndryshe, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor. Ky do të jetë ky takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të ngjashme