Besa Ismaili: Debati parlamentar për pabarazinë gjinore i heshtur dhe servil

Prishtinë | 07 Mar 2022 | 18:37 | Nga Ekonomia Online

Ish-deputetja Besa Ismaili ka kritikuar kryetaren e Grupit të Grave Deputete, Tinka Kurti, për servilizëm ndaj kryeministrit Albin Kurti, gjatë debatit të sotëm parlamentar lidhur me pabarazinë gjinore të grave në shoqëri.

“Në seancën parlamentare, e ftuar nga Grupi Joformal i Grave, ku po debatohet pabarazia gjinore, kryetarja e këtij grupi i del në mbrojtje kryeministrit krejt pa nevojë, stereotipizon tutje debatin në përpjekje për të ngulfatë kritikën për mungesën e rezultateve nga qeveria për të korrigjuar pabarazitë, e cila qeveri shumicën e votuesve i kishte gra”, ka shkruar Ismaili, në Facebookun e saj.

“Në një parlament, ku vetëdija mbi gjinoren është e duhura dhe lidershipi politik i grave bollshëm i guximshëm, pyetjet që i parashtroi Ramush Haradinaj, do t’i kishte parashtruar vetë kryetarja e Grupit të Grave, apo një nga deputetet e shumicës, që kreun e qeverisë e ka nga radhët e veta”, ka theksuar ish-deputetja e PDK-së.

Sipa saj, ky do të ishte heroizmi për të korrigjuar pabarazinë dhe kërkuar llogaridhënien. “Heroizëm ky i munguar edhe sot. Mungesë kjo që thyen shpresën se do të jemi më mirë mes nesh”.

Sa ilustrativ, aq edhe dëm, sipas Ismailit, është ky shans i sotëm politik i lëshuar nga gratë deputete për të çuar kritikën gjinore në nivel tjetër.

“Pabarazia gjinore apo sociale do luftëtare të guximshme dhe të artikuluara”.

“Heshtja, servilizmi dhe kalkulimet politike nuk e bëjnë ndryshimin e shumëkërkuar”, thekson Ismaili.

Të ngjashme