Besnik Bislimi merr pjesë në konferencën vjetore ‘’Forumi Rajonal i Dialogut dhe Bashkëpunimit’’

Prishtinë | 18 Mar 2022 | 17:25 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në konferencën vjetore ‘’Forumi Rajonal i Dialogut dhe Bashkëpunimit’’, organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI).

Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Bislimi foli për rëndësinë e unitetit të Bashkimit Evropian, teksa jemi dëshmitarë të sfidave nëpër të cilat Evropa po kalon në raport me situatën në Ukrainë dhe uniteti evropian është forca e cila po i bën ballë kësaj sfide. Theksoi se ky unitet i dha një frymë të re dhe më të fuqishme konceptit të integrimit të rajonit në BE dhe se duhet ta ushqejmë atë përmes bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve tona e përmes mekanizmave të ndryshëm.

Gjithashtu tha se mirëpret në çdo kohë iniciativat komunale të cilat për bazë kanë bashkëpunimin me komuna të shteteve tjera të rajonit dhe se aktualisht jemi në përgatitje të një evenimenti në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë dhe shpresojmë Ambasadën e Maqedonisë së Veriut, e cila do të përfshijë disa komuna nga Republika e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë Jugore, ku synojmë të organizojmë një panair të përbashkët rajonal.

Në vijim, foli për mundësitë specifike të cilat ofrohen për komunat, e ku autoritetet lokale, por edhe entitetet e tjera brenda komunave mund të përfitojnë drejtpërdrejtë ose në kombinim mes tyre. Në përfundim ritheksoi se ne si Qeveri, mirëpresim iniciativat e bashkëpunimit ndërkomunal me shtetet e rajonit dhe jemi të bindur që kjo ndikon në shkëmbim të përvojave, kulturave, praktikave, vlerave, të cilat ndikojnë fuqishëm në përforcimin e unitetit tonë rajonal në funksion të integrimit të bashkuar drejt BE dhe rritjes së prosperitetit në tërë rajonin në të gjitha fushat, përfshirë ato ekonomike dhe shoqërore.

Më poshtë, fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi:

I nderuar Zëvendëskryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut,

I nderuar Ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë,

I nderuar Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Krasniqi

I nderuar z. Tahiri

Të nderuar përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë Jugore

Më lejoni që fillimisht të falënderoj Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale që më kanë ftuar për një temë, rëndësia e së cilës po rritet dita ditës. Sot, përderisa jemi dëshmitarë të sfidave nëpër të cilat Evropa po kalon në raport me invazionin rus në Ukrainë, uniteti evropian është forca e cila po ndihmon që kjo sfidë të përballohet më lehtë. Është ky unitet i njëjtë me atë që ka bashkuar vendet fillestare të idesë së BE. Por, me kalimin e kohës derisa unioni po zgjerohej filloi të krijohej përshtypja që ky zgjerim po e sjell një zbehje të unitetit në qasje të Bashkimit Evropian. Fatmirësisht, Evropa këto javë na vërtetoi të kundërtën, duke u bashkuar dhe shpërfaqur unitetin e saj që buron mbi vlerat e përbashkëta prodemokratike, proevropiane dhe pro euroatlantike. Me këtë, Evropa na tregoi që uniteti është ajo që e mbron krejt Evropën dhe ofron sigurinë dhe stabilitetin e nevojshëm për të gjithë qytetarët e saj. Njëkohësisht edhe i dha një frymë të re dhe më të fuqishme idesë dhe konceptit të integrimit të Ballkanit Perëndimor drejt BE.

Në shtetet e rajonit, me perspektivë të qartë drejt BE-së, duhet që këtë unitet ta ushqejmë në vazhdimësi përmes bashkëpunimit rajonal mes vendeve tona përmes mekanizmave të ndryshëm. Aktualisht, ne jemi duke punuar intensivisht në 4 marrëveshjet rajonale në kuadër të Procesit të Berlinit, dhe kemi përçuar mesazhin që vazhdojmë të jemi shumë të interesuar për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve mbi principin e barazisë të të gjitha vendeve apo të 6-të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Personalisht jam në bisedime të vazhdueshme me Ministrin tonë për Administrim dhe Pushtet Lokal, si dhe përfaqësues të shteteve të rajonit, dhe mirëpres në çdo kohë çdo iniciativë komunale të cilat për bazë të tyre kanë bashkëpunimin me komuna të shteteve tjera të rajonit. Aktualisht jemi në përgatitje të një evenimenti në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, shpresoj edhe me Ambasadën e Maqedonisë së Veriut për disa komuna në Republikën e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë Jugore, ku synojmë të organizojmë një panair të përbashkët rajonal.

Përveç kësaj, në Kosovë kemi dy mundësi specifike kryesore të ofruara nga IPA të cilat ofrohen për komunat, e ku autoritetet lokale, por edhe entitetet e tjera brenda komunave mund të përfitojnë drejtpërdrejtë ose në kombinim mes tyre. Institucionet koordinuese për këtë janë brenda Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

E para, është granti i përformancës komunale, që është paraparë të financohet bashkërisht nga programi vjetor IPA 2021, e cila ofron 15 milionë fonde nga BE, si dhe 15 milionë nga vetë Qeveria e Republikës së Kosovës. Kësaj shume pastaj i janë shtuar dhe 3 milionë tjerë nga partnerë bilateral zhvillimorë të Kosovës.

Së dyti, Kosova dhe vendet e tjera po vazhdojnë të përfitojnë nga fondet e ofruara për IPA për Bashkëpunim Ndërkufitar. Përmes këtij instrumenti që është pjesë e veçantë e IPA, do të financohen projekte të cilat kanë për qëllim të nxisin bashkëpunimin ndërmjet zonave kufitare të Kosovës me qytetet në zonat kufitare të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Shpresojmë shumë që në të ardhmen e afërt kësaj liste t’i shtohen edhe komunat në zonat kufitare të Serbisë.

Kosova përfiton edhe nga qasja që ka në kuadër të Programeve të BE-së. Programet e BE-së janë programe 7 vjeçare të dedikuara për të promovuar dhe mbështetur politikat e BE-së dhe për të forcuar bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE-së dhe aleatëve të tjerë në fusha të caktuara siç janë hulumtimi dhe inovacioni, arsimi, kultura, shëndeti, mbrojtja e mjedisit, tatimet, drejtësia etj. Për të përmbushur më mirë përgjegjësitë që rrjedhin nga pjesëmarrja në MSA, Qeveria e Kosovës ka vendosur të shfrytëzojë mundësinë e pjesëmarrjes në programet e BE-së që të krijojë mundësi për entitetet institucionale, biznesore dhe shoqërisë civile që të familjarizohen me praktikat, metodat dhe standardet e BE-së dhe të përforcojë kapacitetet e saj teknike e administrative të rrugëtimit krahas agjendës evropiane.

Përderisa shumica e programeve ofrohen për fushat e përgjegjësisë që vlejnë për institucionet e nivelit qendror, ka edhe programe, fushëveprimi i të cilave mundëson qasjen e drejtpërdrejtë edhe të nivelit lokal. Një prej këtyre programeve është edhe “Evropa për qytetarët”, e cila, në kuadër të ciklit të ri financiar të BE-së për vitet 2021-2027, është grupuar në kuadër të programit Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat (CERV) me një buxhet total prej 1.5 miliard euro.

Kosova pritet të bëhet pjesë e këtij programi në vitin 2022, pasi të nënshkruhen dhe hyjnë në fuqi marrëveshja përkatëse që mundëson qasjen e aplikuesve nga Kosova. Koordinimi i përgjithshëm i këtij programi bëhet nga Zyra e Bashkëpunimit për Zhvillim në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Pasi të mundësohet qasja e Kosovës, ne do të marrim përsipër informimin me kohë për të gjitha entitetet që kualifikohen për të përfituar nga ky program, përfshirë edhe autoritetet lokale dhe do të shohim hapësirat për të mbështetur të njëjtat në përpilimin dhe dërgimin e aplikacioneve të tyre.

Edhe njëherë dua të theksoj se ne si Qeveri, mirëpresim iniciativat e bashkëpunimit ndërkomunal me shtetet e rajonit. Jemi të bindur që kjo ndikon në shkëmbim të përvojave, kulturave, praktikave, vlerave, të cilat ndikojnë fuqishëm në përforcimin e unitetit tonë rajonal në funksion të integrimit të bashkuar drejt BE dhe rritjes së prosperitetit në tërë rajonin në të gjitha fushat, përfshirë ato ekonomike dhe shoqërore.

Të ngjashme