Besnik Tahiri publikon listën zgjedhore me të cilën garon në Podujevë

Prishtinë | 16 Gus 2021 | 19:43 | Nga Ekonomia Online

Kandidati i AAK’së për kryetar të Komunës së Podujevës, Besnik Tahiri, ka prezantuar listën zgjedhore me të cilën synon të fitojë në zgjedhjet e tetorit.

Tahiri thotë se 80 për qind e atyre që kërkojnë votën janë të rinj dhe prej tyre 50 për qind janë gra.

“Lista garuese është përgjigje e nevojës për transformim të thellë, të angazhimit politik dhe qasjes qeverisëse’, thotë Tahiri.

“Boshti e kryefjala e programit është zhvillimi, duke hapur perspektivë të qartë, e vendosur themele të qëndrueshme për secilën zonë, fshat e lagje”, shtoi ai.

“Komuna do të vendoset në qendër të shërbimit të zhvillimit dhe kërkesave të qytetarëve, me gjithë sektorët, nisur nga ato bazike, arsimi, shëndetësia, e deri tek ato të domosdoshme, uji, higjiena, e shërbimet e përditshme publike’, tha Tahiri.

Postimi i plotë:

Lista fituese, 80% të rinj, 50% gra me bartëse të listës grua!

Të dashur qytetarë,

Nga një punë e gjatë dhe angazhimi serioz, kemi arritur të hartojmë listën garuese për Kuvendin Komunal për zgjedhjet e 17 tetorit 2021. Lista garuese është përgjigje e nevojës për transformim të thellë, të angazhimit politik dhe qasjes qeverisëse. 

Përfaqësimi në listë reflekton tri dimensione:

• E para, 60% e listës përbëhet nga prurjet, kuadrot e reja, ku me konsensus i kemi vendosur në 20-të të parët, si vlerësim për profesionalizëm edhe tregues i vullnetit e hapjes për kuadro e të rinjtë;

• E dyta, kemi ofruar shembullin e parë të përfaqësimit real të shoqërisë në lista garuese për zgjedhjet lokale 50% gra, 50% burra, me bartëse liste grua;

• E treta, përveç profesionistëve të fushave, përfaqësimit të barabartë gjinor, kemi ofruar në listë, personalitete të vlerësuara me kontribut në komunitet dhe sfera të ndryshme të angazhimit.

Kjo listë është reprezentim i qartë i  qytetarëve, qytetit, por edhe synimeve në platformën zhvillimore për Podujevën 2025.

Platformë që ka në qendër tri dimensione kyçe:

• Zhvillimin e punësimin;

• Mobilizimin e potencialit profesional dhe promovimin e të rinjve; si dhe

• Përfaqësimin e drejtë gjinor dhe rritjen e kohezionit social.

Boshti e kryefjala e programit është zhvillimi, duke hapur perspektivë të qartë, e vendosur themele të qëndrueshme për secilën zonë, fshat e lagje.

Komuna do të vendoset në qendër të shërbimit të zhvillimit dhe kërkesave të qytetarëve, me gjithë sektorët, nisur nga ato bazike, arsimi, shëndetësia, e deri tek ato të domosdoshme, uji, higjiena, e shërbimet e përditshme publike.

Në nuk mjaftohemi vetëm me qeverisje dhe menaxhim të mandatit, na duhet bashkërisht të projektojmë zhvillimin afatgjatë; duke u dhënë përgjigjeje e adresim, çështjeve si ngrohja qendrore; funksionalizimit të aeroportit; lidhja me rrugët, terminalet dhe ekonominë; impiantet e ujërave të zeza dhe mbeturinave; funksionalizimi i resurseve minerare; si nevojë, e domosdoshmëri të një qyteti konkurrues e të barabartë me ato të rajonit dhe më gjerë.

Të ngjashme