Besnik Tahiri: VV-ja e ka marrë Kosovën me “çelësa në dorë”

Prishtinë | 07 Pri 2022 | 10:59 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mospërmbushje të agjendës legjislative.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Tahiri tha se nga 27 ligje të prezantuara nga Qeveria, vetëm nëntë prej tyre janë sjellë në Kuvend, raporton Ekonomia Online.

Tahiri u shpreh se Lëvizja vetëvendosje e ka marrë “me çelësa në dorë” shtetin, me 2.1 miliardë euro buxhet, me 117 njohje, me ushtri e polici të konsoliduar.

“E ka marrë me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që shpallja e pavarësisë është e drejtë… Dhe populli lyp prej tyre me i kry këto punë që kanë thënë se do t’i kryejnë”, tha Tahiri.

Sipas tij, letërnjoftimi i një qeverie se a është e suksesshme apo e dështuar është zbatimi i dokumenteve që i bënë vetë.

“Një ndër këto dokumente është agjenda legjislative, e cila ishte e dështuar në vitin 2021. Me ardhë sot në prill 2022 dhe me i prezantu 27 ligje në periudhën janar-mars dhe me i pru vetëm 9, ndërsa 18 prej tyre mos me kanë askund është dështimi, turpi e mosefikasiteti i një qeverie”.

Shefi i deputetëve të Aleancës deklaroi se asnjë ligj që e përmirëson etën e qytetarit nuk e ka bërë kjo Qeveri, në tepër se një vit.

“Bëni ju çka kemi bërë ne për 20 vjet. Leni fjalët kthejuni punës, bini ligjet që e përmirësojnë jetën e qytetarëve”, ka theksuar Tahiri.

Të ngjashme