Bilçik për qëndrimin e Lavrovit në Moskë: Serbia ta harmonizojë politikën e saj me BE-në

Prishtinë | 23 Gus 2022 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian, Vladimir Bilçik ka bërë disa komente në lidhje me qëndrimin e kryediplomatin rus, Sergei Lavrov i cili dje u takua me Ministrin e Brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin.

Ai u shpreh se Serbia ta harmonizojë politikën e saj me Bashkimin Evropian.

“Kur një anëtar i qeverisë serbe dërgon mesazhe anti-evropiane gjatë një vizite zyrtare në Moskë, të gjithë në Evropë e marrin parasysh. Çdo përparim në rrugën evropiane të Serbisë mund të bazohet vetëm në angazhimin e vërtetë dhe të qëndrueshëm ndaj parimeve, vlerave dhe politikave evropiane. Kjo përfshin përafrimin e politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të Bashkimit Evropian, në mënyrë progresive dhe me interes të vërtetë në marrjen e vendimeve politike që reflektojnë shtrirjen e ardhshme”, ka shkruar ai në Twitter.

Tutje, ai shkroi se harmonizimi i kësaj politike si dhe normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, siç u shpreh ai do t’a përcaktojë ritmin e anëtarësimit në BE, përcjell Klankosova.tv.

“Përafrimi i plotë me politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së, duke përfshirë sanksionet kundër Rusisë, si dhe me normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, do të përcaktojë ritmin e anëtarësimit në BE. Ky ka qenë një mesazh i qëndrueshëm nga Parlamenti Evropian dhe është përfshirë në Raportin tim 2021 për Serbinë, i cili u miratua muajin e kaluar me një shumicë të madhe në Strasburg”, ka shkruar tutje Bilçik.

Të ngjashme