Bislimi: Asociacioni është një nga 33 marrëveshjet e arritura në Bruksel, gazetarët po e ushqejnë artificialisht si temë

Prishtinë | 23 Maj 2022 | 15:13 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se në Bruksel janë nënshkruar 33 marrëveshje, kurse tema e Asociacionit të komunave me shumicë serbe po diskutohet pa nevojë në Kosovë. Madje, ai u shpreh se kjo temë “po ushqehet artificialisht” nga mediet, raporton Ekonomia Online.

Ai në Komisionin për Integrime Evropiane ka thënë se në Bruksel synojnë t’i zgjidhin problemet e pazgjidhura në Kosovë, dhe se sipas tij e kanë obligim që të merren me qytetarët serbë.

Bislimi u shpreh se Marrëveshjen e Asociacionit është vetë njëra këto 33 marrëveshje dhe nuk është më e rëndësishmja. “Për neve, e gjithë zhurma që është ngritur rreth Asociacionit është artificiale. BE-na na thotë juve në Kosovë po ju thonë gazetarët çka keni me bërë me Asociacionin. Ne e ushqejmë temën duke u marrë kot me të”.

“Tek targat një nga opsionet është që dy shtet kanë targa të përhershme. Mund t’i pranojnë targat ashtu siç janë. Nuk e di pse i fryjnë një teme artificialisht. Përderisa në Bruksel synojmë t’i zgjidhim problemet e pazgjidhura në Kosovë e kemi obligim që të merremi me qytetarët serbë sepse është në frymën e Kushtetutës së Kosovës”.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ka vendim gjykatës por ajo që kemi bërë të qartë ne jemi të interesuar për mekanizma e që garantojnë avancim të drejtave të minoriteteve. Vendimi i gjykatës nuk është i ndërlidhur me Brukselin”, tha Bislimi.

Sqarimi i zëvendësit të Kurtit u bë pasi deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, pyeti se cili është qëndrimi i Qeverisë sa i përket Asociacionit.

“A është Asociacioni kusht nga BE-ja për një marrëveshje finale”, pyeti ajo.

Kurse, deputeti Xhavit Haliti tha se rreth Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka një qëndrim të Gjykatës Kushtetuese. “Po ashtu edhe për pronën e kishës në Deçan. Për këtë çështje janë deklaruar miqtë tanë strategjikë dhe disa vende të BE-së”, u shoreh Haliti, duke u interesuar se cili është qëndrimi i Qeverisë Kurti.

Edhe atij, Bislimi iu përgjigj se po i fryen një teme artificialisht.

“Jemi në dijeni të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por ne jemi të interesuar të zhvillojmë mekanizma që garantojnë të njëjtën kohë avancim të drejtave të minoriteteve dhe siguri të plotë të integritet dhe sovranitetit të vendit”.

“Si do të quhet ky instrument dhe si do të zbatohet mbetet të shihet në të ardhmen. Nuk mund të sigurohet moscenimi i integritetit pa pasur marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, dhe pastaj mund të flasim për modalitete që sigurojnë avancimin e të drejtave të minoriteteve dhe atë me principin e reciprocitetit”, theksoi zv.kryeministri i Parë i Kosovës.

Të ngjashme