Bislimi: Deklaratat e Lutfi Hazirit nuk çojnë peshë në bisedimet me LDK-në

Prishtinë | 03 Nën 2019 | 14:17 | Nga Ekonomia Online

Deklarata e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, se emri i kryeministrit të ri, gjithsesi se do të kalojë përmes zyrave të LDK-së, vazhdon të marr reagime të shumta nga zyrtarë të lartë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, që është edhe anëtar i grupit punues të LVV në bisedimet me LDK-në, i ka cilësuar të parëndësishme deklaratat e Lutfi Hazirit.

Bislimi tha se Haziri është i lirë ta japë mendimin e tij, mirëpo ai nuk ka peshë në bisedimet që po i zhvillojnë këto dy parti.

‘’Ai mund të thotë çkado mirëpo nuk luan rol të rëndësishëm, nuk çon peshë në bisedimet tona që po i zhvillojmë me LDK-në’’, ka thënë Bislimi për Periskopin.

Ndryshe, Lutfi Haziri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sistemi aktual zgjedhor në Kosovë, asnjë partia nuk ia mundëson ta formojë qeverinë e vetme. Ndërsa ka shtuar se, vendi ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. “Por, ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK-së!”.

Ndaj deklaratës së Hazirit kanë reaguar edhe kandidatja për deputete Albulena Haxhiu dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje nga Shqipëria, Boiken Abazi.

Abazi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Lufti Haziri nuk bën mirë të mburret e ta keqpërdor faktin që Lëvizja ka vendosur ta marrë partinë e tij në konsideratë”.

Ndërsa, Albulana Haxhiu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Ajo që tashmë është e qartë…emri i kryeministrit është vendosur më 6 tetor”.

Deklarata e Hazirit dhe reagimet ndaj saj vijnë në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si parti e dytë, janë duke zhvilluar bisedime për të krijuar një koalicion të përbashkët qeveritar, percjell telegrafi.

Të ngjashme