Bislimi e vlerëson si shumë të rëndësishme vizitën e vet, ka ardhur koha që Lugina të marrë vëmendje ndërkombëtare

Prishtinë | 05 Sht 2022 | 23:11 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se është koha që çështja e Luginës së Preshevës të marrë vëmendje edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Bislimi theksoi se 4010 nxënës përfituan tekstet falas për mësimin në gjuhën shqipe në të gjitha klasat fillore.

“Vizitë e rëndësishme gjatë ditës së sotme në Luginën e Preshevës. Së bashku me ministren e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, takuam liderë politik të Preshevës dhe Bujanocit dhe shpërndamë tekstet mësimore për nxënësit e shkollave fillore, në fshatrat Tërnoc të Madh dhe Raincë, ka shkruar Bislimi.

“4010 nxënës përfituan tekstet falas për mësimin në gjuhën shqipe në të gjitha klasat fillore. Jemi të gëzuar për mbulimin e kësaj kostoje por njëkohësisht edhe të brengosur që kemi ndarë libra për kaq pak nxënës duke ditur që deri para pak viteve në Luginën e Preshevës fillonin shkollat më shumë se 13 mijë”, shtoi ai.

“Ka ardhur momenti që çështja e Luginës së Preshevës të marrë vëmendje edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Problematikat serioze si shpopullimi, garantimi i të drejtave për shqiptarët, regjistrimi i popullsisë, njohja e diplomave, mungesa e investimeve nga institucionet, tashmë duhet të trajtohen gjerësisht”.

“Për ne si Qeveri është me rëndësi garantimi i simetrisë dhe barazisë në të drejta mes qytetarëve shqiptarë në Luginë dhe atyre serb në Kosovë”.

Të ngjashme