Bislimi kërkon ndihmën e Francës për heqjen e vizave: T’i tregojmë BE-së që proceset po ecin më shpejt

Prishtinë | 27 Jan 2022 | 12:06 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli i Investitorëve Evropian se bashku me ambasadën franceze, kanë organizuar eventin e përbashkët, ku temë diskutimi kanë qenë planet e presidencës franceze për Ballkanin perëndimor, raporton Ekonomia Online. 

Eriola Bibola, kryetare e Bordit të drejtorëve të Këshillit të Investitorëve Evropian, u shpreh e kënaqur me angazhimin e presidencës franceze karshi Kosovës.

Ajo tha se angazhimi i presidentit Macron për Ballkanin Perëndimor është i jashtëzakonshëm, teksa shtoi se Franca ka interesim për Kosovën dhe regjionin.

“Angazhimi i presidentit Macron për Ballkanin Perëndimor është i jashtëzakonshëm dhe tregon interesimin e këtij vendi për këtë regjion dhe Kosovën në përgjithësi. Si këshill e kemi mirëpritur planin e BE-së, që ka synim rritjen e kapitalit njerëzor, sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit”.

E zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka quajtur vitin 2022 vit të rëndësishëm, pasi sipas tij, pos krizës me pandeminë Kosova përballet edhe me krizën energjetike.

“Çdo vit është i rëndësishëm por 2022 do të jetë shumë i rëndësishëm.  Jemi duke e kaluar krizën e pandemisë, por në të njëjtën kohë kemi një krizë tjetër energjetike. Jemi në dijeni për sfidat që vijnë nga ndryshimet klimatike në ekonomi. Jemi të hapur për iniciativat e presidencës franceze për te bashkëpunuar me Kosovën. Jemi të interesuar për investitorë francez. Kemi vërejtur një rritje të hovshme në eksportet e Kosovës, të cilat mund të eksportohen edhe në marketin francez”, ka thënë Bislimi, raporton EO.

Tutje numri dy në Qeverinë e Kosovës ka thënë se synim i ekzekutivit është aplikimi për statusin e kandidatit dhe liberalizimin e vizave. Për këtë të fundit, ka kërkuar ndihmë nga Franca.

“Si qeveri, kemi procese të rëndësishme, si aplikimi për status të kandidatit dhe liberalizimin e vizave. Mendojmë se tani është momenti i duhur për t’i arritur këto. Duhet ta përçojmë sinjalin që si qeveri jemi të gatshëm ta menaxhojmë dhe të rikuperohemi nga pandemia. Një tjetër synim i joni është që të kalojmë nga monopolizmi në një market kompetitiv. Duhet t’i tregojmë BE-së që proceset janë duke ecur më shpejt se më parë, por edhe se ato varen nga shumë faktorë. Duhet të ketë bashkëpunim mes të gjitha ministrive, qeverisë, komisioneve, ambasadave në Kosovë, shoqërisë civile”.

Ndërkaq, ambasadorja franceze për Kosovë, Marie-Christine Butel, ka thënë se programet e presidencës franceze dhe BE-së për Kosovën përfshijnë, përveç luftimit të korrupsionit dhe përmirësimit te sundimit të ligjit, edhe luftimin e ngrohjes globale.

“Ballkani perëndimor ka një rëndësi të veçantë për presidencën franceze, në të njëjtën kohë edhe për Bashkimin Evropian. Programi ynë fokusohet në përmirësimin e sigurisë së Kosovës, rininë e saj, luftimin e korrupsionit. Programet e presidencës franceze dhe BE-së për Kosovën përfshijnë, përveç luftimit të korrupsionit dhe përmirësimit te sundimit të ligjit, edhe luftimin e ndryshimit të klimës. Kjo do të ishte e mundur përmes uljes së emetimeve të CO2 në bizneset kosovare”, ka thënë ajo.

Sipas ambasadores Butel, ky ndryshim do të kishte impakt në të gjitha sferat e jetës, jo vetëm në ekonomi.

“Prioriteti ynë është të kemi një Ballkan më të ‘gjelbër’. Shumë pjesë të programit janë të fokusuara në këtë aspekt. Kjo është një mundësi unike që Kosova ta zhvillojë ekonominë e saj dhe në të njëjtën kohë ta ruajë ambientin. Një proces shumë i rëndësishëm, qe do ta ndihmonte këtë iniciativë, është digjitalizimi. Sipas disa studimeve franceze, digjitalizimi na ka ndihmuar në uljen e emetimeve të CO2”, ka thënë ambasadorja Butel, teksa shtoi se hap tjetër i rëndësishëm për shtimin e investimeve në Kosovë është luftimi i korrupsionit, i cili sipas saj krijon një ambient më të sigurt për investitorë.

Kryeshefi Ekzekutiv i Këshillit, Emrush Ujkani, ka thënë se sundimi i ligjit është një ndër hapat e parë në forcimin e institucioneve shtetërore.  

“Progresi i Kosovës është një progres që duhet theksuar. Forcimi i sundimit të ligjit është një ndër hapat e parë në forcimin e institucioneve shtetërore. Këshilli i investitorëve Evropian është konfident që tranzicioni digjital do të shkojë pa probleme me ndihmën e ministres Rizvanolli, Murati dhe Aliu”.

“Qëllimi ynë është që ta integrojmë Kosovën në BE. Digjitalizimi ndihmon edhe në plotësimin e kritereve të tjera që Kosova duhet t’i plotësojë. Tanimë, në Kosovë, ka kompani të cilat e përdorin ‘green finance’ “, u shpreh Ujkani.

Tutje, ai tha se disa ligje të reja si dhe një market kompetitiv në Kosovë do të ishte atraktiv për investitorë.

“Jemi në pritje të disa ligjeve. Zyra e BE-së është duke punuar për miratimin e ligjit për prokurorimet publike. Ky ligj do ta ndihmonte sistemin. Gjithashtu një market kompetitiv do të ishte atraktiv për investitorët.  Kërkesa më e madhe e tyre mbetet luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i sundimit të ligjit”.

Edhe AnnaCarin Platon,  shefe e ekonomisë politike dhe integrimeve evropiane në zyrën e BE-së, tha se e mbështet agjendën franceze për Ballkanin perëndimor si dhe përfshirjen e Këshillit në këtë proces.

“E çmojmë shumë kooperimin e Këshillit të investitorëve Europian si zë për  Qeverinë, siç janë një zë për ne”.

Platon u shpreh se bizneset private mund të vendosin shembullin më të mirë në pëmrbushjen e agjendës së “gjelbër”, sidomos në kohën e krizës energjetike.

“Franca është lider në agjendën e ‘gjelbër’ . E mbështesim bashkëpunimin mes presidencës franceze dhe këshillit në këtë aspekt. Bizneset private mund të jenë një shembull i mirë sa i përket ngrohjes globale. Rëndësia e kësaj rritet duke marrë parasysh krizën energjetike me të cilën po ballafaqohemi”, ka thënë ajo.

Të ngjashme