Bislimi: Prokuroria t’i nisë hetimet për abuzimin e zv.ministres Daulina Osmani, e cila ia dha motrës së saj 335 mijë euro

Prishtinë | 13 Qer 2022 | 15:42 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Rinisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi në një konferencë për media ka kërkuar që Prokuroria e Kosovës të nisë hetimet për aferën e abuzimit të 335 mijë eurove nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, raporton Ekonomia Online.

Bislimi tha se këto para të taksapaguesve kosovarë, përmes një skeme mashtrimi e kamuflimi që përbën një konflikt të pastër interesi me përgjegjësi ligjore, i ka përfituar me projektin e titulluar “Drejt Malit” Mimoza Osmani, e cila është motra e zëvendësministres Daulina Osmani, që është njeriu më i besuar i kryeministrit Albin Kurti në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka iniciuar muaj më parë një memorandum bashkëpunimi ku i ka përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Shëndetësisë si dhe Organizatën Jo Qeveritare “Federata e Sportit Shkollor”. Nëpërmjet këtij memorandumi, Ministria e Kulturës ia ka dhënë 335 mijë euro Organizatës Jo Qeveritare “Federata e Sportit Shkollor” e cila kishte obligim ta organizoj projektin “Drejt Malit”që kishte për qëllim dërgimin e nxënësve për skijim në Brezovicë. Kjo OJQ e kishte marrë përsipër t’i blejë pajisjet dimërore për nxënësit si dhe t’i akomodojë ata në një hotel në Brezovicë. Ajo çfarë ndodhi është se kjo Organizatë Jo Qeveritare, me paratë e Ministrisë së Kulturës e kontraktoi Kompaninë “Omnisport” me pronar burrin e motrës së zëvendësministres Daulina Osmani. Pra, motra e zëvendësministres përveç që e ka bashkëshort pronarin e kësaj kompanie, ajo edhe vet punon aty.”, theksoi ai.

Bazuar në titullin e ofertës, Bislimi tha se me këto 335 mijë euro u blenë disa pajisje dimërore dhe të tjerat u shpenzuan për akomodim në hotelin “Molika” në Brezovicë, i cili sipas dokumentacionit zyrtar nuk figuron i regjistruar fare në Kosovë, por është i regjistruar në Serbi.

“Pra, disa prej këtyre parave të taksapaguesve kosovarë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosoves përfunduan në xhirollogarinë e hotelit në Serbi. Për ta vërtetuar të gjithë ju që zëvendësministrja Daulina Osmani ishte bartëse e këtij projekti që paratë ia dha kompanisë ku punon motra e saj, mund të hyni në faqen e saj në Facebook dhe e shihni si e promovonte këtë projekt. Madje ajo e kishte ftuar në Brezovicë gjatë atyre ditëve që po zbatohej projekti, edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili shkoi në Brezovicë dhe bashkë me zëvendësministren Daulina Osmani ato ditë me borë hipi në teleferik.”, shtoi ai.

Sipas Bislimit, kjo aferë abuzive është shqetësuese jo vetëm për përfitimin e një familjareje të titullares së Vetëvendosjes, por edhe sepse paratë janë shpenzuar për çmime të fryera me procedura të përshpejtuara.

Partia Demokratike e Kosovës i bën thirrje ministrit Çeku që të japë llogari e të sqarojë këtë aferë abuzive, prandaj ky rast duhet të zbardhet sa më shpejt dhe shkelësit të vihen sa më parë para përgjegjësisë ligjore.

“Edhe pse kanë kaluar disa ditë që ky projekt abuziv është denoncuar nga media, ministri i Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku, ende nuk është deklaruar për këtë çështje dhe kjo heshtje nuk mund të interpretohet ndryshe përveçse si miratim.”, tha ai.

Të ngjashme