Blakaj e godet Lumezin dhe pretendentët për Kryeprokuror: Incizimet e dëshmojnë se nga çfarë interesa jeni udhëhequr

Prishtinë | 14 Shk 2022 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Ish-prokuroroi special Elez Blakaj vijon shkrimet me kritika të ashpra ndaj Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, të cilit i përfundon mandati në prill të këtij viti. Sipas tij inçizimet dëshmojnë se nga cilat interesa është udhëhequr Lumezi.

Teksa Blakaj citon një deklaratë të Lumezit me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve, duke pohuar se është udhëhequr vetëm nga interesat e sistemit prokurorial dhe nga zbatimi i kompetencave kushtetuese dhe ligjore, Blakaj përmend disa incizime që sipas tij, e dëshmojnë saktë se nga cilat interesa është udhëhequr Lumezi.

Tutje, ai hedh kritika edhe mbi procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të ri të shtetit, duke u shprehur: “Rrjedhja e informacioneve nga takimet të cilat i keni pasur me bashkëpuntorët tuaj të ngushtë dhe të besueshëm e deri tek inçizimet, e dëshmojnë saktë nga cilat interesa jeni udhëhequr! Për këtë nuk jam i befasur, se ju jeni mësuar t’ja lëshoni njëri tjetrit! Pra, është produkt tipik i mentalitetit të cilin ju e keni krijuar, andaj mos u befaso se disa i ki edhe kandidat për Kryeprokuror”.

Blakaj thotë se është për keqardhje që Lumezi edhe pas përfundimit të mandatit do të vazhdojë të marrë me shumë se 2 mijë euro nga buxheti i shtetit.

Reagimi i tij i plotë:

Aleksander Lumezi: Përkundër të gjitha sfidave, kam pasur privilegjin që të ushtroj funksionin e Kryeprokurorit të Shtetit ekskluzivisht i udhëhequr vetëm nga interesat e sistemit prokurorial dhe nga zbatimi i kompetencave kushtetuese dhe ligjore.

E more Kryeprokuror…., po harron se ka dëshmi të mjaftueshme të cilat tregojnë saktë, mënyrën si ke ardh, si dhe çfarë ke punuar më të vërtetë gjatë mandatit tuaj!

Rrjedhja e informacioneve nga takimet të cilat i keni pasur me bashkëpuntorët tuaj të ngushtë dhe të besueshëm e deri tek inçizimet, e dëshmojnë saktë nga cilat interesa jeni udhëhequr! Për këtë nuk jam i befasur, se ju jeni mësuar t’ja lëshoni njëri tjetrit! Pra, është produkt tipik i mentalitetit të cilin ju e keni krijuar, andaj mos u befaso se disa i ki edhe kandidat për Kryeprokuror!

Ndërsa sa i përket privilegjit në ushtrimin e detyrës se Kryeprokurorit ju kuptoj plotësishtë, por të lutëm mos e harro edhe dostin tuaj (policin e krimeve ekonomike) sepse edhe ai ka pas hise në atë privilegj!

Është për keqardhje që edhe pas përfundimit të mandatit tuaj, ju do të vazhdoni të merrni më shumë se 2000 € ( dymijë Euro) apo 70% të pagës suaj, nga buxheti i qytetarëve të cilët fare pak të besojnë!

Tri ditë më parë, Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi, gjatë Konferencës Vjetore të Prokurorëve tha se gjatë vitit të kaluar është bërë punë e madhe e cila sipas tij, vërtetohet me rezultate konkrete.

Të ngjashme