Blinken: Arritja e njohjes reciproke mes Kosovës e Serbisë kërkon fleksibilitet dhe gatishmëri të palëve

Prishtinë | 17 Shk 2021 | 11:38 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken, ka uruar shtetin e Kosovës për përvjetorin e 13-të të Pavarësisë.

Blinken në mesazhin e tij ka thënë se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar te njohja reciproke, do të kërkojë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis nga të dyja palët.

“Në emër të Qeverisë së SHBA-së, dua ta uroj Kosovën pasi feston përvjetorin e 13-të si shtet sovran dhe i pavarur. SHBA-ja është krenare në rolin e saj të hershëm dhe të vazhdueshëm në mbështetjen e Republikës së Kosovës të pavarur, për t’u zhvilluar në një vend multi-etnik, gjithëpërfshirës dhe demokratik. Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt një të ardhme më të begatshme, të qëndrueshme dhe të sigurt. Ne përgëzojmë vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Izraelin dhe përshëndesim përpjekjet tuaja për të normalizuara marrëdhëniet me Serbinë. Arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të përqendruar në njohje reciproke, do të kërkojë nga të gjitha palët që të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për kompromis. SHBA-ja vlerëson lidhjen e fortë mes njerëzve tanë dhe do të vazhdojë të përkrah Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. I uroj siguri dhe shëndet të mirë njerëzve të Kosovës, ndërsa vazhdojmë të punojmë së bashku për të tejkaluar sfidat e paraqitura nga pandemia COVID-19”, thuhet në letrën e Blinkenit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme