Bllokimi i dialogut për shkak të Asociacionit, kërkohet bashkëpunim si në Rambuje

Prishtinë | 15 Tet 2020 | 21:23 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar nga pozita dhe opozita që të bëhen bashkë në mënyrë që të diskutojnë për dialogun.

Thaçi ka deklaruar se marrëveshja e Asociacionit që ka kaluar në Kuvend e Kushtetuese duhet të respektohet nga ata që dialogojnë.

“Marrëveshja e 2013-tës ka kalu në Kuvend, ajo e 2015-ts ka kalu përmes Kuvendit, ne duhet të i respektojmë ato.

Serbia po tenton me rinegociu me elemente shtesë, përtej vendimit të Kushtetueses, qeveria duhet të mendoj mirë hapin e ardhshëm”, ka thënë ai.

I pari i shtetit tha se duhet opozita dhe pozita të ulen e të bëhen bashkë si në kohë të Rambujesë.

“Para se të ulemi me Serbinë duhet të ulemi mes vete si në Rambuje, si në Vjenë, të diskutojmë dhe të prezantohemi me platformë të qartë. Të gjithë duhet të jenë të informuar, askush nuk e ka mandatin që të negociojë për asociacionin përtej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, çdo pretendim do të jetë defunksionalizim i këtij procesi, unë do të jem kundër”, ka thënë ai.

Të ngjashme