Blushi i kishte thumbuar kosovarët për “arritjet” në fushën e mendimit kritik, Qosja reagon pas 6 vjetësh

Prishtinë | 27 Mar 2022 | 13:13 | Nga Ekonomia Online

Një shkrim me titullin “Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria”, i shkruar nga politikani dhe shkrimtari nga Shqipëria, Ben Blushi në vitin 2016, e ka bërë shkrimtarin e akademikun nga Kosova, Rexhep Qosja të reagojë sot në Facebook.

Blushi kishte shkruar para gjashtë vjetësh se si “Kosova ka qenë një koloni artistike e Shqipërisë”, ndërsa shtonte se “sot Shqipëria duket si një koloni artistike e Kosovës”.

Ai thumbonte kosovarët për mendimin kritik gjatë kohës kur jetonin në Jugosllavi. “Kosovarët nuk kishin kaq shumë talente”, atëherë, shkruante Blushi, duke theksuar se si “muzika, letërsia, sportet, piktura dhe futbolli i tyre ishte i prapambetur në krahasim me popujt e tjerë jugosllavë”.

“Nuk kishin fituar asnjë medalje të artë, nuk kishin pothuajse asnjë futbollist të madh, nuk kishin muzikantë, piktorë apo shkrimtarë të shquar. Kuotat më të larta, mendimi i tyre kritik, i arriti duke shkruar esse për poetët dhe artin e Rilindjes Shqiptare”, shkruante ai.

Pa ia përmendur emrin, Qosja tha se Blushi vuan nga “atdhetarizmi i mëhallës” dhe “atdhetarizmi i rrejshëm”.

“Kosova koloni kulturore e Shqipërisë! Për herë të parë në vitin 2008 kishte shkruar dhe një vargu të bashkëbiseduesve u kishte thënë: Kosova është bërë koloni kulturore e Shqipërisë. Duhet, prandaj, të bëjmë çmos ta lirojmë Kosovën prej këtij kolonializmi! Pos disa shokëve të vet, ai nuk ia kishte arritur t’i mbushë mendjen askujt tjetër se Kosova vërtet mund të quhet koloni kulturore e Shqipërisë apo e cilitdo shtet tjetër”, ka shkruar Qosja.

“Fatmirësisht”, shkruan ai, “as sot nuk po mund t’ua mbushë mendjen të tjerëve se Kosova është koloni kulturore e Shqipërisë jo vetëm pse nuk mund të trillojë të dhëna për ta bërë të bindshëm këtë pohim, por edhe pse të tjerët nuk vuajnë si ai prej atdhetarizmit të mëhallës, atdhetarizmit të rrejshëm”.

Qosja shkruan se “lufta e tij me shkrim e me gojë kundër politikës së imagjinuar koloniale kulturore të Shqipërisë ndaj Kosovës” mbetet “jo vetëm mendim i gabuar e veçues”, por, shton ai “edhe veprim kundërkombëtar e gojor: veprim kundër vetvetes”.

“Tani, ndërkaq, disa institucione kulturore dhe shkencore në Shqipëri e disa krijues po shfaqin shqetësim, shqetësim të të kolonizuarit kulturor, mos Kosova, letërsia e Kosovës në gjysmën e dytë të shekullit njëzet, po e merr meritën që i takon, që e ka, do ta marrë, pra, atë meritë “kolonizuese” si letërsi në të cilën janë krijuar, janë shprehur veçanëritë, të mirat, të arriturat krijuese të modernizmit, që ia ka sjellë letërsisë shqipe të asaj kohe”, ka shkruar Qosja.

Të ngjashme