Bogujevci kërkon që 14 prilli të jetë Dita e Viktimave të Dhunës seksuale

Prishtinë | 09 Mar 2020 | 12:17 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka kërkuar që data 14 prill, të jetë dita e viktimave të dhunës seksuale. Kjo datë është data kur është përdhunuar Vasfije Krasniqi, gruaja e parë e cila ka folur publikisht si viktimë e  dhunës seksuale, raporton Ekonomia Online.

Në seancën e veçantë të Kuvendit, për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kushtuar ngritjes së vetëdijes së shoqërisë për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, ajo tha se dalja publike e Vasfije Krasniqit ishte moment i rëndësishëm për Kosovën.

“Sot në kuvend po flasim për përdhunimet që janë bërë nga forcat serbe. Nuk u bëmë zëri i tyrë për këto vite. Dalja publike e Vasfijes ishte një moment i rëndësishëm për vendin tonë. Filluan të dalin në pah edhe mospuna e institucioneve për nevojat e tyre por edhe mospërkrahja e familjes”.

“Njohja e vuajtjeve të tyre është drejtësi. Të njëjtën kohë e kemi parë sesa pak është bërë në dënimin e atyre që kanë kryer këto vepra. Kam një kërkesë që data 14 prill kur është përdhunuar Vasfije Krasniqi, të jetë datë që i kujtojmë të gjitha viktimat e përdhunuara të luftës. Këtë gjë do ta shtojmë në mbledhjen e radhës së kryesisë dhe do të procedohet në kuvend”, tha ajo.

Në emër të LDK-së foli deputetja Lirije Kajtazi, ka thënë se përdhunimi ka qenë praktikë e Serbisë. Ajo tha se edhe pas 22 vjetëve nuk është dënuar për përdhunimet.

“Kjo betejë nuk është e lehtë por po del të jetë e vështire ndonëse kanë kaluar 22 vite. Sepse asnjë prej urdhërdhënësve nuk ka dhënë përgjegjësi e as ata që kanë kryer këto krime. Se dhunimi ka qenë praktikë e shtetit serb tregon një raport ku thuhet se dhunimi ka qenë praktike lufte për t’i poshtëruar dhe si mjet për ta ndryshuar demografinë për hesape politike. E pa dëshminë e Vasfijes, raporti i OKB-së tregon se në luftën e Bosnjës janë dhunuar mijëra gra e burra”, tha ajo.

Ndërkaq Valdete Idrizi deputete e PDK-së, tha se për gratë duhet punuar çdo ditë e jo vetëm për 8 mars. Ajo ka kërkuar nga qeveria që të sigurojë buxhet për komisionin e verifikimit të personave të dhunës seksuale.

“Sot është 9 marsi ditë e mirë pëe të punuar për të drejtat e gruas, e jo vetëm për 8 mars. Duhet të punojmë për gjithë ata që ende janë të zhdukur. Histori sikur e Vasfijës dhe shumë grave të tjera akoma mbeten të heshtura sepse ne si shoqëri nuk i kemi përkrahur ato. Pasojat e atyre krimeve ende vazhdojnë të jenë prezent”.

” Këto gra shumica ende nuk e kanë gjetur guximin ta tregojnë të vërtetën sepse ne i kemi quajtur histori e turpit, ani pse ne e kemi thyer tabunë, kemi ende punë për ta thyer stigmën për ta luftuar këtë kategori. Ne si institucione  duhet të sigurojmë buxhet për komisionin e verifikimit të personave të dhunës seksuale. Andaj në emër te PDK e ftoj qeverinë që t’i sigurojë buxhetin për këtë kategori sepse nuk kemi kohë për të humbur”, tha ajo.

Në emër të AAK-së foli Teuta Haxhiu. Ajo tha se shteti duhet të veprojë që kriminelët të dalin para drejtësisë.

“Këto akte janë plagë të rënda. Femrat e dhunuara u bënë pjesë e kësaj tragjedie që e pësoj gjithë Kosova. Niveli i përgjegjësisë duhet të rritet me shumë sepse edhe pas dy dekadave të shihen me këtë sy”.

“Trajtimi i këtyre rasteve është detyre e institucioneve sepse thyerja e kësaj tabuje është bërë. Në prag të mbylljes së dialogut me Serbinë ende nuk kemi para drejtësisë kryesit e këtyre veprave. Shteti duhet të veprojë që kriminelët të dalin para drejtësisë”, tha ajo.

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, ka thënë se Vasfije Krasniqi duhet të vij në Kuvend pa ju dridhur zëri sa herë që ndjen nevojën t’u drejtohet deputetëve.

Ajo ka falënderuar Vasfijen që ka ndarë përjetimin e saj me të gjithë. Ajo ka thënë se ajo është arsyeja e jetës së shumë grave tjera.

“Vasfija dhe mijëra vajza dhe gra tjera u ballafaquan me mizorinë e dhunimit nga forcat kriminale te shtetit te Serbisë gjate luftës te viteve 1998-1999!”.

“Ne në moshën e saj kemi menduar se cilat nga atletet janë në trende për t’i blerë, ndërsa Vasfija dhe vajzat e asaj kohe kanë kryer shkollim me një pale këpuce nga ato të zezat qe nuk i donte askush, por qe ishin të detyruara t’i mbathnin”.

Të ngjashme