Bogujevci: Nga pozita e nënkryetares së Kuvendit do të flas për krimet serbe

Prishtinë | 26 Mar 2021 | 19:44 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka thënë se për të është i vështirë çdo përvjetor që e kujton masakrën e bërë ndaj familjes së saj nga forcat e ushtrisë serbe.

Bogujevci ka deklaruar se duhet të bëhet punë dhe angazhim nga të gjithë sa i përket krimeve të bëra ndaj kosovarëve gjatë luftës së fundit.

“Secili vit, secili përvjetor është çdo herë e më i vështirë. Por, në të njëjtën kohë, për secilin prej nesh ajo që e kemi kaluar në atë periudhë kohore, mbetet me ne në përditshmërinë tonë. Këto përkujtime janë të vështira çdo herë, për mua është me rëndësi ta përmend që sot ishim në përvjetorin e Krushës së Madhe, Krushës së Vogël dhe familjes Berisha në Suharekë, më e vështira është kur i sheh gratë që ende nuk dinë për fatin e familjarëve të tyre, kjo është goxha e vështirë”, tha ajo në Klan Kosova.

“Ne, një pjesë jemi me fat se e dimë çfarë ndodhi me familjarët tanë, por kur i sheh familjet tjera që për 22 vjet nuk kanë marrë asnjë lajm rreth asaj se çfarë iu ka ndodhur familjeve të tyre apo edhe asaj se nuk e dinë kur i kanë trupat e familjes, kjo është tepër e vështirë. Janë shumë e shumë familje ane mbanë Kosovës që kur vjen kjo periudhe është shumë e rëndë. Kjo do të duhej të na detyrojë edhe të na kujtojë në përditshmërinë tonë për punën dhe angazhimin që duhemi ta drejtojmë rreth këtyre çështjeve që së paku t’ua lehtësojmë dhimbjen”.

Bogujevci ka thënë se është e nderuar që është bërë nënkryetare e Kuvendit të Kosovës duke shtuar se është me fat që në këtë pozitë mund të flas për krimet që i ka shkaktuar Serbia në Kosovë

“Ndjehem shumë e lumtur dhe e nderuar që më është besuar kjo detyrë brenda Parlamentit të Kosovës. E rëndësishme është që e kemi lirin, por kemi shumë punë të për bërë që ta fuqizojmë vendin tonë dhe të arrijmë në një ku çdo përfaqësim i yni të jetë i barabartë në raport me shtetet tjera, ne kemi ende punë për të bërë në këtë drejtim”.

“Është tepër me rëndësi që të ecim përpara, nuk guxojmë ta harrojmë të kaluarën, është tepër e rëndësishme se në situatën ku jemi sot t’ua rikujtojmë të gjithëve nëpër çka ka kaluar populli ynë. Ndoshta është edhe një fat në pozitën që jam dhe për mundësitë që do t’i kem në të ardhmen për të arritur të flas për krimet që janë bërë në Kosovë”.

E dyta e Kuvendit ka theksuar se i është mirënjohëse subjektit që i takon Lëvizjes Vetëvendosje për mundësit dhe mbështetjen që i kanë dhënë.

“Ndjehem me fat që jam pjesë e LVV-së, aty më kanë dhënë hapësirë dhe një përkrahje shumë ë madhe. Këtë herë me propozim të tyre janë nënkryetare dhe u jam mirënjohëse që kanë pasë besim në mua dhe punën time për të më dhënë një detyrë siç është nënkryetarja e Kuvendit, ndjehem shumë e nderuar”, ka thënë Bogujcevci.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme