Borell: BE-ja e lehtëson dialogun Kosovë -Serbi, kush do të ndihmojë është i mirëseardhur

Prishtinë | 05 Mar 2020 | 15:07 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës s’fundi kanë shfaqur mospërputhje në qëndrime sa i përket zhvillimeve në Kosovës. Nga zyra e Borell e kanë mirëpritur vendimin e Albin Kurtit për pezullim të pjesshëm të taksës, ndërkohë emisari i Trump, Richard Grenell, ka thënë se SHBA’të nuk përkrahin një vendim të tillë dhe se Kurti është duke bërë një gabim serioz, meqë spo e heq taksën plotësisht dhe pa kushte shtesë.

Përveç kësaj, emisari i Trump aktualisht është duke i drejtuar i vetëm përpjekjet për rikthim të Kosovës dhe Serbisë në tryezën e dialogut. Grenell pa e përfshirë fare Bashkimin Evropian, Gjermaninë dhe Francën, ka ndërmjetësuar tri marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit.

Lidhur me këtë çështje kishte folur vetë emisari amerikan Richard Grenell duke thënë se kush dëshiron të ndihmojë dialogun është i mirëseardhur.

 “Të gjithë janë të mirëseardhur për të ndihmuar. Por ata nuk kanë qenë fare të përfshirë”, kishte thënë Grenell më 29 janar të këtij viti.

Por kështu thotë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borell, i cili ka potencuar se Bashkimi Evropian është lehtësuesi kryesor i negociatave mes Prishtinës dhe Beogradit. Sipas tij shtetet anëtare dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë janë të mirëseardhur për të ndihmuar procesin.

“Çfarëdo angazhim në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, nga shtete anëtare si dhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë është natyrisht i mirëseardhur. Ne po punojmë me të gjithë partnerët, duke qenë se situata kërkon të vazhdohen përpjekjet e të gjithë atyre që kanë të njëjtin qëllim, do të thotë të ardhmen e njerëzve në vendet respektive si dhe perspektivën e tyre evropiane”, ka thënë Josep Borell i pyetur rreth angazhimit amerikan në dialog.

Tutje Borell ka shtuar se rajoni i Ballkanit Perëndimor është një prioritet për Bashkimin Evropian dhe për të personalisht.

“Unë jam i përkushtuar për të mbështetur përparimin në dialogun e lehtësuar nga BE, me rolin tim si lehtësues. Për të ndihmuar rritjen e angazhimit dhe përpjekjeve të mia, vendosa të caktoj edhe një Përfaqësues Special për dialogun dhe Ballkanin Perëndimor”,ka thënë Borell për euraciv.jutarnji.hr.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme