Borrell flet për një “qasje ndryshe” në raport me Ballkanin Perëndimor

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 17:52 | Nga Ekonomia Online

Joseph Borrell, duke folur për takimin që ka pasur me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor ka thënë se ka dashur të shkëmbejë mendime me udhëheqësit – hapur dhe jozyrtarisht – në lidhje me shqetësimet dhe propozimet e tyre për rajonin dhe të ardhmen e tij evropiane, si dhe një qasje më strategjike ndaj politikës së jashtme evropiane.

“Të martën, së bashku me Komisionerin Várhelyi, pata një darkë joformale me udhëheqësit e Gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në muajt e fundit, ne kemi parë frustrim nga ana e tyre ndaj BE-së dhe një përhapje të retorikës nacionaliste, shpesh përçarëse. Në Këshillin tonë të fundit të Punëve të Jashtme, Ministrat e Jashtëm të BE ranë dakord mbi nevojën për të rritur përpjekjet tona për ta sjellë rajonin më pranë Bashkimit Evropian”, ka shkruar Borrell, përcjell Telegrafi.

Siç ka thënë më tej përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, ai është gjithashtu “i etur të ndërtojë një marrëdhënie personale me ata liderë që kanë nevojë për hapësirë për të punuar në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, me Bashkimin Evropian dhe midis tyre”.

Në një shkrim të tij, Borrell ka shtuar se në takimin ku ishte edhe komisionari për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhalyi, ishte e rëndësishme të demonstrohej angazhimi i BE-së me rajonin në një nivel politik, përtej zgjerimit.

Sidoqoftë, ka thënë ai, diskutimi tregoi qartë se zgjerimi është tema, pothuajse një temë ekzistenciale, e cila bashkon rajonin.

“Të gjithë udhëheqësit deklaruan se ata kanë zgjedhur të vendosin integrimin në BE në krye të axhendave të tyre dhe kanë investuar kapital maksimal politik për të lëvizur njerëzit në rajon më pranë BE-së”.

Në këtë drejtim, ka shtuar ai, “konkretisht, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin Konferencat e para Ndërqeveritare për pranimin në BE në qershor dhe po kështu edhe Serbia dhe Mali i Zi”.

“Liberalizimi i vizave për Kosovën ka marrë shumë kohë: vendi ka përmbushur të gjitha kriteret dhe tani duhet të bëjmë përparim për këtë çështje. Unë do ta mbështes plotësisht këtë. Unë gjithashtu do të lehtësoj një takim tjetër të nivelit të lartë të dialogut në Beograd në Prishtinë në qershor”, ka thënë Borrell duke vlerësuar se një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht e detyrueshme midis Serbisë dhe Kosovës është gjithashtu e vonuar.

Të ngjashme