Borrell më në fund apelon që Kosovës t’i liberalizohen vizat

Prishtinë | 21 Maj 2021 | 20:10 | Nga Ekonomia Online

Për pak ditë do të rinisë dialogu Kosovë Serbi në Bruksel.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, po insiston se Kosova duhet ta merr liberalizimin e vizave.

Insistimin e tij, përfaqësuesi i politikës së jashtme të BE-së e shprehu në një kolumne, në të cilën tregoi edhe detaje nga darka me liderët e Ballkanit Perëndimor.

”Liberalizimi i vizave të Kosovës ka kaluar shumë kohë: vendi ka përmbushur të gjitha kriteret e lidhura dhe tani duhet të bëjmë përparim për këtë çështje. Unë do ta mbështesë plotësisht këtë”, shkroi ai.

Në këtë konkludim, Borell ka ardhur meqë ka parë përshtypjet e liderëve të Ballkanit Perëndimor, që sipas tij, të gjithë kanë ambicie për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në frymë të njëjtë, për heqje të vizave ndaj kosovarëve, ka folur gjatë ditës edhe deputeti gjerman, Peter Beyer, që sipas tij, liberalizimi i vizave për Kosovëm duhet të ndodhë menjëherë.

Gjatë një debati në parlamentin gjerman, Beyer, i cili është një nga politikanët më me ndikim në shtetin e tij, ka shtuar se tashmë nuk e kupton refuzimin e Francës dhe Holandës për heqjen e vizave ndaj kosovarëve dhe se shteti që ai e quan shumë i varfër, tash e një kohë të gjatë i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim.

E veç për viza, si gjermanët, njëjtë edhe përfaqësuesi i politikës së jashtme Josep Borrell, thotë se edhe marrëveshja Kosovë Serbi është vonuar.

Të ngjashme