Borrell: Zgjidhja e mosmarrëveshjes Kosovë – Serbi, test i madh për BE-në

Prishtinë | 13 Sht 2020 | 12:09 | Nga Ekonomia Online

Shefi për Politikë të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se fqinjësia brenda bllokut është në flakë për shkak të krizave nga Bjellorusia deri te tensionet në Mesdhe, të cilat kërkojnë përgjigje urgjente dhe të bashkuar nga vendet anëtare të BE-së.

Kryediplomati evropian gjithashtu tha se Ballkani është vend i ndjeshëm për tensione dhe se BE-ja duhet të ofrojë ndihmë për ta përmirësuar sigurinë rajonale dhe për ta përmbushur ambicien e vet për të qenë një porcë e besueshme botërore në politikën e jashtme.

Veterani i Partisë Socialiste tha se Bashkimi Evropian përballet me një test të madh për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Ballkan, përfshirë mosmarrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Financial Times, transmeton Gazeta Express.

“Nëse nuk e stabilizojmë Ballkanin, do të jetë shumë e vështirë të cilësohemi si fuqi gjeopolitike, sepse askush tjetër nuk do ta bëjë këtë, vetëm evropianët”, tha diplomati Borrell.

Ai i përmendi edhe tensionet mes Turqisë dhe Greqisë në pjesën lindore të Mesdheut, duke thënë se atje ekziston një rrezik i madh i përleshjes që shkon përtej fjalëve.

Borrell gjithashtu tha se BE-ja duhet të kundërpërgjigjet me sanksione në lidhje me helmimin e aktivistit opozitar rus, Alexei Navalny, nëse ka dëshmi të qarta se në këtë rast janë të përfshirë zyrtarët e Rusisë.

Të ngjashme