Brenda një viti e gjysmë dy palë zgjedhje, partitë paguajnë mijëra euro borxhe

Prishtinë | 25 Dhj 2020 | 11:59 | Nga Ekonomia Online

Hiç më pak se 380 mijë e 700 euro ishte borxhi i përgjithshëm që subjektet politike në vend kishin në PZAP, si pasojë  e gjobave që morën gjatë zgjedhjeve të 6 tetorit të viti të kaluar. Madje në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën me 29 nëntor të këtij viti në Mitrovicën e Veriut, Lista Serbe poashtu u dënua më 20 mijë për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore.

Në vend është krijuar një situatë e re politike. Kjo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta shpallur të pavlefshme votën e deputetit Etem Arifi, e cila ishte vendimtare për formimin e Qeverisë Hoti. Kësisoj vendi pritet që të shkojë në zgjedhje në muajt e parë të 2021, teksa sipas rregullave partitë politike në vend nuk mund të dorëzojnë listat e tyre në Këshillin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nëse nuk i kanë paguar të gjitha gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kanë thënë për Express se në rast se partitë politike nuk i paguajnë borxhet, të njëjtat nuk mund të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Subjektet politike që nuk i kanë shlyer gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk mund të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhje. Në një proces zgjedhor, KQZ’ja i përcjellë PZAP’it listën e të gjitha subjekteve politike që aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje, për të marrë konfirmimet nëse ndonjëra prej tyre nuk ka shlyer detyrimet që ka”, ka thënë për Express, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Kryesuesi i Sekretariatit të PZAP’së, Mulë Desku, ka thënë se borxhi është paguar thuajse nga të gjitha partitë politike në vend. Sipas tij vetëm një koalicion nuk e ka paguar këtë borxh.

Këtë borxh, sipas tij nuk e ka paguar vetëm koalicioni “Sloboda”, e që PZAP-së i ka borxh 5 mijë e 100 euro.

“Ju informojmë se vetëm Koalicioni “Sloboda” ka borxh 5100 euro nga zgjedhjet e kaluara. Te gjitha Subjektet tjera Politike i kanë paguar borxhet për zgjedhjet e kaluara përfshi këtu edhe borxhin prej 20 mije euro te cilin e ka paguar Lista Serbe për dënimin e shqiptuar nga PZAP-i për thyerjen e heshtjes zgjedhore ne Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për Kryetar ne Komunën e Mitrovicës se Veriut”, thuhet në përgjigjen e Deskut për Gazetën Express.

Në ndërkohë pas zgjedhjeve të 6 tetorit PDK’ja ishte partia me më së shumti borxhe në PZAP me gjithsej 100 mijë e 100 euro borxh.

Pas PDK-së, renditej koalicioni AAK-PSD me 89 mijë e 600 euro borxh dhe e treta renditej LDK-ja me 74 mijë e 850 euro borxh.

Lista e plotë e borxheve që i kishin subjektet politike në PZAP:

1.LDK  = 74,850.00 euro,

2.PDK   = 100,100.00 euro,

3. LVV = 14,100.00 euro,

4. Lista Serbe = 36,500.00 euro + 20,000 euro.

5. Koalicioni AAK-PSD = 89,600.00 euro,

6. Koalicioni Nisma – AKR – PD = 33,900.00 euro,

7. PREBK = 250.00 euro

8. IRDK Lendrit Qeli   = 1,200.00 euro,

9. Koalicioni Sloboda  = 5,100.00 euro, nuk i ka paguar ende.

10. PLE  = 1,100.00 euro,

11. VAKAT  = 1,100.00 euro,

12. KDTP = 1,100.00 euro,

13. PG  = 1,100.00 euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme