Brian Yee-Thaçit: Perspektiva evropiane për Kosovën dhe rajonin, janë prioritete të ShBA-së

Prishtinë | 25 Tet 2017 | 09:08 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropian dhe euro-aziatike, Hoyt Brian Yee është takuar me presidenti e vendit Hashim Thaçi.

Presidenti Thaçi dhe zëvendës ndihmës Sekretari Yee kanë biseduar për marrëdhëniet bilaterale, rolin e SHBA-së në rajon, perspektivën euroatlantike të Kosovës, dialogun me Serbinë dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Me këtë rast, presidenti Thaçi ka thënë se vazhdimi i mbështetjes së SHBA-së për Kosovën dhe rajonin, mbetet çelës për paqe e stabilitet të qëndrueshëm.

“Jemi mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në të gjithë sektorët e jetës në Kosovë”, ka shtuar presidenti.

Presidenti ka njoftuar zëvendës ndihmës Sekretarin Yee për sukseset më të fundit të Kosovës, zgjedhjet komunale dhe betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komuniteti jo shumicë.

“Zgjedhjet komunale janë një dëshmi tjetër e pjekurisë politike të Kosovës, ndërsa dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një hap i madh drejt forcimit të sistemit të drejtësisë dhe konsolidimit të integritetit shtetëror të Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke folur për prioritetet e Kosovës, presidenti Thaçi u shpreh se përmbyllja e procesit të liberalizimit të vizave, përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe transformimi i FSK-së mbesin prioritete konkrete, pa lënë anash prioritetet e përhershme që janë ekonomia dhe forcimi i sundimit të ligjit.

Nga ana tjetër, zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit, përgjegjës për çështjet evropiane dhe euroazi, Hoyt Brian Yee, ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë mbështetjen e gjithmbarshme për Kosovën.

“Perspektiva evropiane për Kosovën, si dhe për tërë rajonin, janë prioritete të SHBA-së”, u shpreh Yee.

Në këtë takim është biseduar edhe për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, ku u vlerësua se Kosova është lider në rajon në luftimin e terrorizmit.

Brian Yee do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, raporton Ekonomia Online.

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropian dhe euro-aziatike dje ka qëndruar për vizitë në Serbi.

Zyrtarëve atje ai ua bëri të ditur qëndrimin e ShBA-së se nuk mund të qëndrojë ulur në dy karrige, posaçërisht nëse ato janë larg njëra -tjetrës.

Kësisoj, zyrtari i lartë amerikan komentoi politikën zyrtare serbe që angazhohet për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por edhe ruajtjen e lidhjeve me Moskën.

 

 

 

 

 

Lexo më shumë:

Të ngjashme