Takim tmerrësisht i keq në Bruksel

Prishtinë | 02 Shk 2017 | 08:23 | Nga

Raundi i fundit i dialogut mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë dështoi në tërësi. Atmosfera përshkruhet si shumë e keqe.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë ku ishin përfaqësuesit më të lartë të vendeve, presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikoliq, si dhe kryeministrat Isa Mustafa dhe Aleksandar Vuçiq, nuk dolën fare para gazetarëve. Burimet e Deutsche Welles thonë se takimi ka dështuar në tërësi dhe nuk ka pasur asnjë rezultat.

Në fakt, përveç takimeve bilaterale me ndërmjetësuesen e Bashkimit Evropian në dialog, Federica Mogherini dhe një fotografie të bërë pak a shumë vetëm për hirë të nikoqirëve dhe opinionit, mes delegacioneve nuk ka pasur asnjë bisedim serioz, sepse pozicionet janë krejtësisht të kundërta.

Mogherini pohon se ka pasur takim

Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian, Mogherini kumtoi se së bashku me presidentët dhe kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, është mbajtur edhe një takim i nivelit më të lartë në dialogun për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës.

“Takimi i sotëm ka qenë vazhdimësi e dialogut që kemi pasur me 24 janar. Unë jam e inkurajuar me angazhimin kontruktiv të të dy palëve. Ky takim dhe angazhimi i tyre do të kontribuojnë për uljen e tensioneve”, kumtoi Mogherini duke shtuar se puna do të vazhdojë në këtë drejtim “Dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian. Progresi në normalizimin e raporteve është çelësi për paqë dhe përparimin e këtyre vendeve në procesin e integrimeve drejt BE-së. Kjo është esenciale për Evropën dhe stabilitetin në rajon”, pohon Mogherini.

Sipas saj, palët kanë konfirmuar se janë të përkushtuara të punojnë së bashku në dialog. Mogherini ka falënderuar pjesëmarrësit e takimit, por sipas burimeve tona, takimi I përbashkët pothuajse nuk ka ndodhur fare.

Palët takohen vetëm sa për fotografim

Ishte e paraparë që pas takimeve bilaterale të delegacioneve me Përfaqësuesen e lartë të BE, të mbahet edhe një darkë e përbashkët. Kjo darkë nuk është mbajtur. Megjithë premtimet në prag të takimit, se palët janë të gatshme për vazhdimin e dialogut konstruktiv, bisedimet kanë dështuar në tërësi. “Takimi ishte tmerrësisht i keq dhe pa asnjë rezultat”, thotë për Deutsche Wellen një burim diplomatik në Bruksel, në kushte anonimiteti.

Deklaratat në fillim të takimit ishin krejtësisht të kundërta për çështjen elementare: statusin e Kosovës. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar në prag të takimit se palët kanë rënë dakord që të “ulen tensionet”. Në mëngjesin e ditës së mërkurë, ai ka zhvilluar një telefonatë me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq. Megjithatë, duket se palët nuk janë të gatshme të lëvizin nga qëndrimet për çështjen kryesore – statusin e Kosovës.

Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq tha në prag të takimit se pozicionet e delegacioneve janë krejtësisht të kundërta.

“Ata thonë se Kosova është e pavarur, ndërsa ne mendojmë se ajo është pjesë e pandashme e Serbisë, dhe nga kjo kurrë nuk do të heqim dorë”, theksoi Nikoliq duke shtuar se „Serbia nuk do të flas me askënd për pavarësinë e Kosovës”.

Pala serbe ishte e interesuar të fliste për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Nikoliq tha madje se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të kërkojë nga Prishtina të gjitha ato që kërkon Prishtina nga Beogradi.

Në pyetjen e DW nëse kjo do të thotë se ky Asociacioni do të kërkojë pavarësi, pasi Kosova e konsideron veten si shtet të pavarur, Nikoliq u përgjigj: “Po, do të kërkojmë pavarësi nga Prishtina, nëse Prishtina mendon se mund të jetë e pavarur nga Beogradi.”

Palët nuk kanë rënë dakord për vazhdimin e dialogut dhe nuk kanë caktuar ndonjë datë se kur mund të takohen sërish.

Të ngjashme