Brukseli fajëson Prishtinën dhe Beogradin për provokime të ndërsjella

Prishtinë | 08 Pri 2019 | 08:13 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Prishtina dhe Beogradi të dalin prej rrethit vicioz dhe t’i ndalojnë provokimet e ndërsjella. Janë një varg veprimesh, për të cilat zyrtarët e Brukselit i kanë akuzuar Kosovën dhe Serbinë se i kanë ndërmarrë muajt e fundit, në një letërkëmbim të cilin e ka siguruar “Koha Ditore”.

Komisari për Zgjerim në Komisionin Evropian, Johannes Hahn, u është përgjigjur shqetësimeve të zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj dhe ministres së Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, pas obstruksioneve që ia bëri Serbia takimit rajonal të të rinjve, i planifikuar të mbahet muajin e kaluar në Prishtinë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por në letrën kthyese, komisari Hahn, përveç Serbisë, ka drejtuar gishtin edhe nga pala kosovare për rrezikim të bashkëpunimit rajonal, me vendimet sikurse ai për taksën ndaj mallrave serbe dhe boshnjake.

“Bashkëpunimi rajonal, paqja dhe pajtimi varen nga përkushtimi që tregojnë të gjitha palët, guximi dhe lidershipi politik. Fatkeqësisht, ajo që kemi parë së fundi është e kundërta e kësaj – veçanërisht spiralja e veprimeve në muajt e fundit mes Prishtinës dhe Beogradit, duke reaguar me provokime ndaj njëri-tjetrit”, shkruan në letrën e Hahnit, që mban datën 4 prill.

Me përmbajtjen e saj është njoftuar edhe kryeministri Ramush Haradinaj nga shefja e BE-së në Prishtinë, Natalia Apostolova.

Të ngjashme