Brukseli ka një kërkesë ndaj Serbisë pasi Kosova hoqi reciprocitetin

Prishtinë | 08 Qer 2020 | 14:58 | Nga Ekonomia Online

Bashkimi Evropian e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë së Kosovës në krye me Avdullah Hotin për heqjen e masës së reciprocitetit.

Nga Brukseli kanë deklaruar se presin që edhe Serbia të bëjë punën e saj për krijimin e kushteve për t’u kthyer në tryezën e dialogut.

Vendimi për heqjen e masës së reciprocitetit, që po i linte Kosovën dhe Serbinë jashtë tavolinës së bisedimeve është mirëpritur edhe në Bashkimin Evropian.

Në Bruksel thonë se me heqjen e kësaj mase, presin që edhe Serbia të e ndalë fushatën për njohjet, e se Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, do të vizitojë Kosovën dhe Serbinë në ditët e ardhshme.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Peter Stano, zëdhënës i Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, ka deklaruar se qeveria e re me heqjen e reciprocitetit ka demonstruar angazhimin e saj për rifillim të dialogut.

“Përfaqësuesi i lartë, Borrell, dhe përfaqësuesi special, Lajçak, e mirëpresin vendimin e qeverisë së Kosovës për largimin e masave të vendosura së voni në kundërshtim me marrëveshjet e kaluara të dialogut. Përmes largimit të pengesave të mbetura për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, qeveria e re e demonstron zotimin e vet për rifillimin e dialogut pa vonesa. Tash, ne presim që Serbia ta bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë Stano.

Sa i përket kohës kur Kosova dhe Serbia mund të kthehen në bisedime, në Bashkimin Evropian thonë se kjo mbetet në dorë të dy palëve. Ata deklarojnë se BE është e gatshme rifillojë dialogun pa vonesa.

“Afati i saktë dhe fusha e dialogut varen nga ajo se si do të vendosin dy palët. BE-ja qëndron e gatshme për ta vazhduar dialogun drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve pa vonesa. Për ta përgatitur terrenin dhe për t’i diskutuar modalitetet me palët, përfaqësuesi special, Lajçak, planifikon të udhëtojë në rajon gjatë ditëve të ardhshme”, thuhet në përgjigje.

Pas vendimit që të shtunën mori Qeveria për heqje të reciprocitetit, kryeministri Avdullah Hoti ka deklaruar se Kosova ka hequr të gjitha pengesat drejt Serbisë, për t’i dhënë një shans për dialog.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ndërkaq ka thënë se Serbia tani më nuk ka asnjë pretekst që mund të përdorë për bllokim të dialogut.

“Tani presioni ndërkombëtar duhet të drejtohet nga Serbia me qëllim që pa humbur kohë të rifillojë dialogu, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve”, ka thënë Thaçi.

Të ngjashme