Bugajski në UBT: ShBA nuk ka ndërruar qasje ndaj Kosovës

Prishtinë | 08 Mar 2017 | 22:06 | Nga

Përkrahja e SHBA-së kundrejt vendeve evropiane, veçanërisht ndaj Kosovës, nuk është zbehur pas fitores së Donald Trumpit. SHBA po e shtyn përpara procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri, madje do të fillojë të bëjë më tepër presion në shtetet e Bashkimit Evropian, të cilat nuk e kanë njohur ende Kosovën si shtet, si dhe do të vazhdojë të jetë ndihmuese në proceset integruese të Kosovës në NATO dhe në BE.

Këtë konstatim e ka bërë analisti me famë botërore, njëherësh drejtor i Qendrës për Analiza të Politikës, Janusz Bugajski, gjatë ligjëratës tematike “Çfarë të pritet nga presidenca e Trump-it”, mbjtur në UBT në Prishtinë.

“Fitorja e Trump-it ka ngjallur frikë të madhe në mesin e shumicës së vendeve evropiane, për shkak të politikës së tij karshi Rusisë, por edhe përkundër kësaj, politika e jashtme amerikane nuk ka ndryshuar karshi vendeve evropiane, sidomos karshi Kosovës, të cilën po e shtyn drejt finalizimit të proceseve integruese”, vlerësoi Bugajski, nën arsyetimin se “një shtet mund të konsiderohet si i tillë vetëm atëherë kur bëhet me forcë ushtarake të përgatitur mirë dhe të gatshme për ta mbrojtur veten dhe kufijtë, si dhe për të dhënë kontribut edhe në NATO”.

Duke folur për politikën e jashtme amerikane, ai shtoi se nuk ka mundësi të ndryshohet qasja karshi vendeve në mënyrë drastike, pasi që, sipas tij, është e nevojshme që SHBA të mbajë lidhje me vendet e tjera të botës, në mënyrë që të vazhdojë të mbetet e fuqishme.

“Në qendër të doktrinës politike të presidentit Trump është Amerika e madhe dhe e fuqishme, por Amerika nuk është e vetmja në botë, prandaj për të forcuar atë, duhet të mbahen dhe të forcohen lidhjet me vendet e tjera të botës”, theksoi Bugajski.

Tutje, ai pohoi se presidenti Trump nuk e ka humbur interesimin ndaj mbështetjes së NATO-s dhe BE-së, por sipas tij, kanë ndryshuar vetëm kërkesat e tij ndaj këtyre organizatave.

“Kritikat e Trump-it ndaj BE-së dhe në veçanti ndaj NATO-s qëndrojnë tek përqendrimi dhe mënyra e financimit të kësaj organizate, sepse vendet e Evropës paguajnë shumë më pak se sa Amerika, e në anën tjetër, ndonëse të gjitha janë të obliguara, vetëm 5 shtete e shpenzojnë 2 përqindëshin e buxhetit të tyre në këtë organizatë”, tha Bugajski, për të shtuar se “duke e ndihmuar Amerikën, secili shtet e ndihmon veten”.

Sipas tij, ashtu siç ishte pritur dhe siç kishin shpresuar Rusia dhe Serbia, SHBA nuk ka ndryshuar qëndrim ndaj tyre, edhe pas zgjedhjeve të fundit.
“Rusia është munduar që ta shkatërrojë kredibilitetin e kandidates Clinton dhe ta dobësojë atë, në atë mënyrë që të manipulojë më lehtë me Trump-in, por në vend të kësaj, në vend të braktisjes së NATO-s, siç shpresonte Rusia, presidenti Trumpi u kërkoi aleatëve që, vetëm të shpenzojnë më shumë në këtë aleancë, në mënyrë që së bashku t’i arrijnë qëllimet”, theksoi Bugajski.

Në fund të ligjëratës, të pranishmit shtruan pyetje mbi çështje të rëndësishme dhe aktuale, duke përfshirë të metat e udhëheqjes së presidentit Obama, karshi vendeve që po përballen me luftë, për ndikimin e Rusisë në zhvillimet e fundit në Maqedoni, për rreziqet dhe krizat që mund t’i përballojë BE-ja, për ndikimin e Gjermanisë tek vendet e Evropës, për situatën e krijuar pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE-ja etj.

Para fillimit të ligjëratës, Janus Bugajski u prit në takim nga rektori i UBT-së, prof.r.Edmond Hajrizi, i cili e njoftoi me punën e UBT-së si lider në arsimin e lartë në Repubikën e Kosovës dhe ambasadore dhe përfaqësuese e vendit tonë në shumë institucione ndërkombëtare.

Në takim gjithashtu u diskutuan nj varg planesh për bashkëpunim midis UBT-së dhe Qendrës për Analiza të Politikës, të cilën e drejton Bugajski.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme