Buja e quan aktakuzën kundër tij banale: Dikujt po i pengoj

Prishtinë | 14 Shk 2017 | 07:54 | Nga

Ish-kryetari i Komunës së Lipjanit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Shukri Buja, i akuzuar për korrupsion, ka thënë se aktakuza e Prokurorisë kundër tij është banale dhe e ndikuar politikisht.

Buja u akuzua nga Prokuroria Speciale të hënën pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, bashkë me nëntë persona të tjerë për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Dhënia e Ryshfetit, Marrja e Ryshfetit dhe Ushtrimi i ndikimit”.

Por, ai thotë se është totalisht i pafajshëm dhe se vet koha kur po i ngritët kjo aktakuzë – afër zgjedhjeve – tregon se disa njerëz nuk po ia duan të mirën.

“Akuzat kundër meje sigurisht nuk qëndrojnë, janë pretendime të Prokurorisë. Por, për shkak se ende nuk e kam marrë aktakuzën zyrtarisht, prandaj nuk mund ta komentoj, sepse s’kam asgjë zyrtare përveç ajo që dëgjova në media”.

“Akuza është tepër banale. Nuk ka fakte për këtë çështje”, pohoi Buja.

“Aktakuza është ngritur pikërisht në kohën kur do të këtë zgjedhje dhe duket se ka ndërhyrje politike. Dikujt sigurisht se po i pengoj”.

Buja ka treguar se në fund të vitit kaluar edhe ishte marrë në pyetje.

“Jam pyetur nga prokuroria me pyetje të ndryshme; si për shembull për një rregullim të veturës. Ka pasur edhe pyetje banale se kush ka paguar kafe?”.

“Në pyetje jam marrë në fund të vitit 2016, por nuk kam pasur njoftim tjetër”.

Buja – dhe të tjerët – sipas aktakuzës, i kanë shkaktuar dëm komunës së Lipjanit dhe ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhimin e AKP-së, në atë mënyrë që duke vepruar në bashkëkryerje me dashje direkte, në mënyrë të kundërligjshme, kanë nxjerrë vendime, me të cilat fillimisht kanë eksproprijuar dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe pronat komunale, me qëllim të eksploatimit të xehes së nikelit.

Por, Buja ka qenë kategorik se diçka e tillë nuk ka ndodhur, kur është pyetur për këto akuza në Ora e Fundit.

“Para se të shkoja unë kryetar, komuna ka pasur një plan zhvillimore ideor. Në komunën e Lipjanit kanë pasur lagje të tërë që janë urbanizuar nga Kuvendi Komunal. Sigurisht edhe ajo pronë (prona për të cilën akuzohet Buja) është realizuar në përputhje me planin rregullativ urban”.

“Prokuroria mund të pretendojë, por ato kompetenca janë të Kuvendit Komunal”.

Ai ka rikujtuar edhe njëherë se ka një veprimtari kombëtare tepër të gjatë dhe se askush s’do të mund ta përulë.

“Por, unë gjithmonë do të qëndroj vertikalisht – kam 30 vjet veprimtari kombëtare”. (KlanKosova)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme