Buja kërkon prishjen e koalicionit me LDK-në

Prishtinë | 06 Nën 2016 | 21:03 | Nga

Deputeti i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Shukri Buja, ka kërkuar zgjedhje të reja dhe prishjen koalicionit me LDK-në.

Ai ka deklaruar se propozimi i buxhetit për vitin e ardhshëm është i dështuar për shkak se i ngarkon bizneset e qytetarët dhe s’i plotëson kërkesat e veteranëve. Buja ka thënë se në zgjedhje duhet shkuar, sepse Qeveria ka dështuar me zhvillim ekonomik, me mosvotimin e demarkacionit dhe me asociacionin.

“Shpresoj që të harmonizohet projektbuxheti i propozuar. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, atëherë do të ketë vështirësi të kalohet ky buxhet në Parlament”, ka paralajmëruar Buja.

Sipas tij, buxheti i propozuar ngarkon qytetarët dhe bizneset dhe si i tillë nuk duhet të kalojë. “Buxheti i rritur jashtë normave ka rrezik t’i ngarkojë qytetarët e Kosovës dhe bizneset, për shkak të trysnisë që do t’ju bëhet dy palëve për të akumuluar të hyra, në mënyrë që të mbërrihet buxheti i planifikuar”.

Shukri Buja ka deklaruar se jo vetëm për shkak të buxhetit, por edhe për shkak të dështimeve të tjera të Qeverisë duhet shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Koalicioni me LDK-në është lidhur për hir të qytetarëve sa për me kaluar disa procese siç kanë qenë çështja e zgjedhjes së presidentit, demarkacioni dhe asociacionit. Vetëm njëra nga këto është realizuar”, ka shtuar ai.

Buja ka thënë të dielën për “Gazetën Express” se nëse në mbledhjen e ardhshme të Komisionit për Buxhet dhe Financa nuk harmonizohen këto kërkesa buxheti mund të mos kalojë në Kuvend. “Duhet të arrihet një marrëveshje për buxhetin dhe të realizohen pretendimet që kemi për të mos i ngarkuar qytetarët dhe bizneset, po ashtu duhet të realizohet fondi i veteranëve të luftës dhe mosngarkimi me huamarrje dhe kreditime, shpresoj që harmonizohen nëse jo do të ketë vështirësi në kalimin e buxhetit”.

Ideja për zgjedhje të reja ishte përmendur para disa kohësh nga Kadri Veseli dhe ishte kundërshtuar nga Isa Mustafa. Veseli kishte thënë se me një marrëveshje politike mes pozitës e opozitës mund të shkohet në zgjedhje të reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme